Liderët politik nga Lugina kërkojnë përfshirjen në bisedimet Kosovë-Serbi

Liderët politik nga Lugina kërkojnë përfshirjen në bisedimet Kosovë-Serbi

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kërkuar nga liderët kosovarë përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë-Serbi.

Këtë deklaratë Arifi e bëri gjatë një takimi që pati sot me delegacionin e Republikës së Kosovës, në Preshevë, me ministren e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj- Stublla dhe ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi.

Arifi theksoi se përfshirja e Luginës së Preshevës në këto bisedime është e domosdoshme.

Ai tha se Lugina e Preshevës duhet të jetë edhe pjesë e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, në rast të kundërt siç u shpreh Arifi marrëveshjet nëse do të arrihen mes dy shteteve nuk do të ishin të qëndrueshme.

“Biseduam rreth mundësisë së sinkronizimit dhe bashkërendimit të mundësive tona të përbashkëta. Lugina të përshihet në dialog dhe të jemi prezent ku përfshihen marrëveshjet e dy shteteve. Marrëveshjet që nuk e përfshijnë Preshevën nuk ka mundësi të jetë të qëndrueshme”, ka thënë Arifi.

Ndërsa, ministrja Haradinaj – Stublla tha se gjatë këtij takimi kanë ndarë shqetësimet karshi Luginës së Preshevës, përcjell Telegrafi.

Ministrja tha se Serbia duhet t’i trajtoj shqiptarët e Luginës me të drejta të barabarta, ashtu siç i trajton Kosova minoritetin serb.

“Kemi pas shqetësime për gjithë këto vite që na ndan kufiri. I ndjekim me shqetësim të madh të gjitha shqetësimet tona për Preshevën. Ashtu si ne e trajtojmë minoritetin serbe në Kosovë, ashtu dhe qeveria serbe duhet ta trajtoj komunitetin shqiptar në Serbi, edhe pse janë duke u cunguar të drejtat shqiptare në këtë pjesë”, ka thënë ajo.

Haradinaj-Stublla po ashtu u shpreh e gëzuar për zgjedhjet e fundit në Serbi, ku në parlamentin serb do ta përfaqësohen tre deputet shqiptarë.

“I gëzohemi edhe fuqizimit të rolit shqiptarë në Serbi”, tha ajo.

Edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi potencoi se do të përkrahin Luginën e Preshevës, pasi siç tha  kjo pjesë nuk është në pozicion të mirë për shkak të shumë çështjeve politike.

“Presheva nuk është në pozicion të mirë për shkak të shumë çështjeve politike. U zotuam që Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të jenë krah i fortë i Preshevës”, ka thënë ndër të tjera ministri Selimi. 


MË SHUME NGA Aktuale