Kuvendi votoi për formimin e Komisionit Hetimor për privatizimin
BKT
Lajme

Kuvendi votoi për formimin e Komisionit Hetimor për privatizimin

Kuvendi i Kosovës votoi sot themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar i cili do të hetoj dhe zbardh të gjitha privatizimet e bëra në Kosovë, në veçanti keqpërdorimet e mundshme dhe ato me lidhje politike.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, gjatë paraqitjes së kërkesës për Komision Hetimor para deputetëve, tha se qëllimi i kësaj nisme është që qytetarët e Kosovës të informohen drejt për secilin privatizim që ka ndodhur në Kosovë dhe çdo lidhje politike që kanë personat që kanë privatizuar.

Ai tha se me këtë formë, do të dalin të vërtetat e sakta dhe do të largohen gjykimet e paragjykimet politike për procesin e privatizimeve.

“Ne si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, kemi propozuar ngritjen për herë të parë të një komisioni hetimor që do të ketë për qëllim hetimin e përgjithshëm të procesit të privatizimit në Kosovë nga fillimi i tij, e deri në ditët e sotme, përkatësisht hetimin e të gjithë procesit të privatizimit të menaxhuar dhe administruar fillimisht nga Agjencia Kosovare e  Mirëbesimit (AKM), pastaj Agjencia Kosova e Privatizimit (AKP), proces i cili ka të bëjë me të gjithë veprimtarinë e këtij institucioni për sa i përket privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, ndërmarrjeve publike, duke përfshirë edhe metodat dhe procedurat e realizuara për qëllime të privatizimit”, tha Hamza.

Kjo nismë parlamentare, ishte paralajmëruar javë më parë nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.


MË SHUME NGA Lajme