Presidenti Trump përballë vendimit të Gjykatës së Lartë
Sharr Travel

Presidenti Trump përballë vendimit të Gjykatës së Lartë

Presidenti Donald Trump fitoi garën për Shtëpinë e Bardhë me premtimin për Gjykatë te Lartë konservatore.

Por tani dhe një vit më parë, madje edhe me dy gjykatës të zgjedhur nga zoti Trump, gjykata ka treguar pavarësinë nga ai apo politikat e administratatës së tij. Kjo e ka zemëruar presidentin dhe ka nxitur një betejë të re mbi gjykatën ndërsa zoti Trump kërkon avantazh politik në prag të zgjedhjeve të nëntorit.

Gjatë javëve të fundit, ndërsa gjykata ka marrë vendimet më të rëndësishme për këtë mandat, zoti Trump pati humbje të mëdha dhe vetëm pak fitore. Humbjet e profilit të lartë të zotit Trump filluan nga mesi i qershorit. Së pari, gjykata vendosi që një ligj historik i të drejtave civile mbron pjestarët e komunitetit LGBT nga diskriminimi në vendet e punës. Pastaj gjykata u shpreh se administrata e Presidentit Trump nuk kishte vepruar siç duhet në dhënien fund të programit 8-vjeçar të imigracionit për fëmijët e sjellë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht nga prindërit e tyre. Programi DACA mbron nga deportimi rreth 650 mijë imigrantë të moshave të reja.

Ndërkohë të enjten, në dy raste rreth qasjes së të dhënave financiare të zotit Trump, Gjykata e Lartë hodhi poshtë argumentet e detajuara nga avokatët e presidentit dhe Departamenti i Drejtësisë se presidenti gëzon imunitet të plotë nga hetimet ndërsa ai është në detyrë, ose që një prokuror duhet të tregojë një nevojë më të madhe se normalja që të marrë në dorë dokumentet.

Me gjithë pretendimet e Shtëpisë së Bardhë për fitore në rastin e së enjtes, Presidenti Trump ishte i zemëruar. Ai e kritikoi Gjykatën e Lartë përmes postimeve në Twitter dhe e cilësoi vendimin e saj si pjesë e modelit të ‘persekutimit politik’ kundër tij.

Refuzimi i pohimeve të zotit Trump se gëzon fuqi ekzekutive u karakterizua nga ndikimi praktik i vendimit të Gjykatës së Lartë për të parashtruar rastet tek gjykata më të ulta. Kjo siguron që zbulimet e mundshme që mund të jenë të turpshme për presidentin të mos kërkohen para se të vendoset fati i tij politik me 3 nëntor.

Të mërkurën, presidenti arriti dy fitore të rëndësishme për lirinë fetare, por nuk ishte në humor të mirë për të festuar pas vendimeve të së enjtes.

“Gjykatat në të kaluarën kanë dhënë një ‘respekt të gjerë’. (Nuk ndryshojnë vendimet e agjencive federale) POR JO MUA. Tani Gjykata e Lartë jep një vendim të vonuar që ata kurrë nuk do ta kishin dhënë për një President tjetër”,postoi ai në rrjetin Twitter.

Muajin e kaluar, pasi administrata humbi rastin DACA, zoti Trump postoi në rrjetin Twitter: “A ju krijohet përshtypja që Gjykata e Lartë nuk më pëlqen mua?”

Përmes një postimi në Twitter ai ju drejtua bazës së tij mbështetëse, ndoshta duke lënë të kuptohet se kjo mund të jetë një temë e rëndësshme e fushatës në të ardhmen.

“Këto vendime të tmerrshme dhe politikisht të ngarkuara nga Gjykata e Lartë janë goditje e rëndë për ata njerëz që janë krenarë që e quajnë veten konservatorë republikanë. Kemi nevojë për më shumë gjykatës ose do të humbasim amendamentin e dytë. Amendamentin dhe gjithçka tjetër. Votoni për Trump 2020!”.

Sulmet kundër gjykatës shënuan një kthim për zotin Trump tek një çështje kryesore të fushatës së tij të vitit 2016.

Katër vite më parë ishte e qartë se presidenti që do të vinte në Shtëpinë e Bardhë dhe do të plotësonte vendin bosh në Gjykatën e Lartë pas vdekjes së gjykatësit konservator Antonin Scalia. Senati i kontrolluar nga republikanët refuzoi të zhvillonte seanca dëgjimore për kandidatin e Presidentit Barack Obama, Merrick Garland. Për të siguruar konservatorët, Presidenti Trump ndërmori hapin e pazakontë duke publikuar listat me gjyqtarët ndër të cilët do të zgjidhte nëse fiton zgjedhjet.

“Nëse me të vërtetë ju pëlqen Donald Trumpi, është gjë e mirë. Por nëse jo, ju duhet të votoni për mua patjetër. E dini pse? Anëtarët e Gjykatës së Lartë”, u shpreh ai gjatë një tubimi në shtetin e Ajovës në korrik të vitit 2016.

Ai zgjodhi gjykatësit konservatorë Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh për të plotësuar vendet e lëna bosh nga Scalia dhe Anthony Kennedy, i cili doli në pension në vitin 2018. Përzgjedhja e tyre, megjithatë, nuk ka nënkuptuar fitore automatike për zotin Trump në Gjykatën e Lartë e cila ka një shumicë konservatore 5-4. Vendimi për programin DACA ishte 5-4 ku Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Robers u bashkua me gjykatësit liberalë. Në vendimin për komunitetin LGBT, gjykatësit Gorsuch dhe Roberts u bashkuan me liberalët në një vendim 6-3.

Të enjten, Gorsuch dhe Kavanaugh ju bashkuan shumicës në të dy rastet së bashku me zotin Roberts dhe katër gjykatësit liberalë. Zoti Roberts shkroi të dy opinionet.

“Gjykatësit nuk vendosën kundër tij, faktikisht ishte një opinion unanim që thoshte se kjo duhet të kthehet në gjykatën e rrethit, dhe madje ata e pranuan se presidenti ka një arsenal të bollshëm argumentesh që mund të përdorë”, u shpreh zëdhënësja e Shtëpisës së Bardhë, Kayleigh McEnany.

Presidenti Trump ka patur rezultate të përziera edhe në të kaluarën. Në vitin 2018, konservatorët e Gjykatës së Lartë nuk ndryshuan vendimin e Presidentit Trump për të ndalimin e udhëtimeve. Vitin e kaluar, vota e zotit Roberts me gjykatësit liberalët ndaloi administratën që të përfshijë një pyetje të debatueshme për shtetësinë në përpjekjet për regjistrimin e popullsisë këtë vit./VOA