A është e rëndësishme miqësia në punë?
Sharr Travel

A është e rëndësishme miqësia në punë?

A jeni miqësor me njerëzit me të cilët punoni, apo jeni miq me ta? Dallimi është i rëndësishëm, lidhja e miqësisë me kolegët mund t’ju bëjë më të lumtur dhe produktivë.

Shumë njerëz sot kalojnë gjithnjë e më shumë kohë me kolegët se me familjarët e tyre. Ajo çka mendojmë për njerëzit me të cilët punojmë dhe marrëdhënien tonë me ta ndikon në jetën tonë, edhe pasi ka përfunduar dita e punës. Një studim i kohëve të fundit të 3.000 punonjës amerikanë me kohë të plotë hedh dritë tek qëndrimi ndaj miqësive në vendin e punës.

Studimi, i kryer nga kërkuesit e Olivet Nazarene University në Ilinois, gjeti se thuajse dy e treta e personave në punë konsiderohen si “të huaj” ose “kolegë”. Rreth 35% hyn në territorin e “miqve”, edhe pse vetëm 15% e këtyre miqësive vazhdon jashtë punës. 4 në 5 të intervistuar deklaruan se ata punojnë me të paktën një person të cilin e konsiderojnë mik.

Miqësitë krijohen më lehtë në disa industri, si transportet, sektori financiar dhe ai i kontabilitetit. Në sektorin e pasurive të patundshme dhe atë ligjor, krijohen një numër më i ulët miqësish se mesatarja. Pjesa më e madhe e miqësive në vendin e punës krijohen shpejt, më shumë se gjysma disa javë pas takimit të kolegëve dhe 22% pas disa muajsh. Edhe pse sektori i pasurive të patundshme është një terren “shterpë” për njerëzit që ndajnë të njëjtat ide së bashku, është gjithashtu një nga sektorët ku miqësitë krijohen më shpejt, së bashku me sektorin e tregtisë me pakicë, atë të ushqimit dhe pijeve dhe sektorin e sigurimeve.

Në anën tjetër, është më e vështirë të krijohen miqësi në sektorin qeveritar, në sektorin e shëndetësisë dhe atë të inxhinierisë.

Miqtë në punë janë të rëndësishëm

A është e rëndësishme të krijosh miqësi në punë? Kërkimet e Gallup pas viteve ‘90 thonë po. Shoqëria e sondazheve i pyet shpesh punonjësit e klientëve të saj: “A keni një mik të ngushtë në punë?”. Rezultatet e sondazheve kanë treguar se të intervistuarit që u përgjigjën “po” kishin 43% më shumë mundësi të përgëzoheshin për punën e kryer javën e kaluar.

Një studim i LinkedIn mbi marrëdhëniet në vendin e punës gjeti se 46% e punonjësve në të gjithë botën besojnë se të pasurit e miqve në vendin e punës rrit lumturinë e përgjithshme. Krijimi i marrëdhënieve me të tjerët mund t’ju bëjë të ndiheni më të lidhur, gjë që mund të rrisë produktivitetin dhe angazhimin në punë.

“Njerëzit janë më krijues dhe produktivë kur ata e përjetojnë pozitivisht jetën profesionale, duke përfshirë më shumë emocione të bukura, më shumë motivim drejt vetë punës dhe një perceptim më pozitiv karshi kompanisë”, shpjegon profesori Teresa Amabile nga Harvard Business School, bashkautor i “The Progress Principle”.

Miqësia, shpërqendrim ndaj punës?

Por përpara se të nisni socializimin me të gjithë kolegët, një studim nga Rutgers University thotë se krijimi i miqësive në vendin e punës mund të jetë një ndërthurje ndjesish. Një studim te 168 punonjës në një kompani sigurimesh gjeti se të pasurit e shumë kolegëve që bëhen miq rrit performancën e punonjësve. Krijimi i miqësive në punë largon barrierat, i bën punonjësit të ndihen më rehat kur kërkojnë ndihmë, duke mos e pasur frikën e paragjykimit.

Megjithatë, miqtë në punë mund t’ju krijojnë shpërqendrime me biseda spontane dhe pauza për socializim, duke ju shkëputur nga puna që keni në dorë. Studimi zbuloi edhe se krijimi dhe ruajtja e marrëdhënieve miqësore ne punë mund të bëhet disi rraskapitëse në rastin e promovimit të njërit prej kolegëve si shef i tjetrit. Megjithatë, ka më shumë anë pozitive se negative në krijimin e miqësive në vendin e punës.

Ndërkohë që disa drejtues mund të jenë kundër bisedave dhe të qeshurave në vendin e punës, duket se edhe një miqësi e vogël mund të ndihmojë në përmirësimin e vendit të punës.