Neymar te Barcelona, tani me tjetër “formulë”
Sharr Travel

Neymar te Barcelona, tani me tjetër “formulë”

Neymar ia ka bërë të qartë PSG se në Paris e mban vetëm kontrata dhe dëshiron të kthehet te Barcelona. Katalanasit nga ana tjetër e duan brazilianin, por problemet ekonomike kanë ndikuar për të bërë një hap pas për blerjen e tij.

Diçka që nuk i ka pëlqyer Neymar, i cili këmbëngul te klubi i tij për t’i ofruar kushtet e duhura Barçës për t’iu kthyer pistës së tij.

Nga Spanja zbulojnë se PSG i ka ofruar Neymar Barcelonës në këmbim të Ousmane Dembele dhe 80 milionë eurove.

Një ofertë mjaft tunduese për katalanasit, që nuk kanë dhënë ende një përgjigje, pasi me shumë mundësi po e shqyrtojnë një ofertë të tillë. Francezi për momentin është i dëmtuar dhe po kalon fazën e fundit të rikuperimit.

Një largim i tij nga Barça nuk do të ishte aspak çudi për shkak se dëmtimet e kanë cunguar shumë eksperiencën e tij në “Camp Nou”.

Nga ana tjetër PSG mundohet të shtyjë transferimin e Neymar edhe për shkak se kontrata e brazilianit skadon në verën e 2022-shit dhe nëse qëndron edhe sezonin e ardhshëm në Paris, klubit do i duhet ta shesë kundrejt një shume modeste verën e ardhshme, për të mos e lënë të largohet me parametra zero.