​Idriz Seferi-monumenti që mungon
Sharr Travel

​Idriz Seferi-monumenti që mungon

Fondacioni që mban emrin e “Idriz Seferit”, e cila drejtohet nga Sabri Kadriu ka paraqitur kërkesën, e miratuar si projekt ideor nga komuna e Kaçanikut, ngritjen e monumentit të Idriz Seferit në Grykën e Kaçanikut, nismë kjo e cila është mbështetur nga Kuvendi komunal i kësaj komune.

Fondacioni “Idriz Seferi”, nëpërmejt një njoftimi thotë se është duke zhvilluar aktivitetin e tij në mbledhjen e fondeve për të ngritur monumentin e munguar të Idriz Seferit në Grykën e Kaçanikut.

“Në Grykën e Kaçanikut mungon një monument. Ka ardhur koha t’i shlyejmë borxhin historisë. Skalitja në shkëmb në Grykën e Kaçanikut Monumentet e një vendi janë kujtesa historike e tij. Çdo vend përmban në brendinë e tij një histori. E takojmë historinë përmes monumenteve dhe ndërgjegjësohemi për çka trashëguam nga figurat e gdhendura në to. Vetëm duke njohur historikun e trashëgimisë mund t’i çmojmë vlerat e saj dhe t’i trashëgojmë këto vlera tek brezat që do të vijnë. Monumentet ngrihen për të përjetësuar kujtimin e ngjarjeve historike në një vend apo të një figure të shquar që ka pasur ndikim në zhvillimin e vendit. Nuk ka rëndësi përmasa e një monumenti sa ka rëndësi ekzistenca e këtij të fundit. Në shoqërinë tonë ka monumente që ekzistojnë sikundër ka edhe monumente që mungojnë. Një prej monumenteve që mungojnë është edhe monumenti i Idriz Seferit në grykën e Kaçanikut. Ç’domethënie mbart figura e Idriz Seferit? Figura e Idriz Seferit mbart mbi vete simbolin e bashkimit të trojeve shqiptare. Të dhënat historike dëftejnë se ai lindi në vitin 1847 në fshatin Sefer të krahinës së Karadakut dhe vdiq në 25 mars të vitit 1927. U rrit në një familje me tradita patriotike dhe ishte udhëheqës ushtarak popullor i Lëvizjes Kombëtare. Që në moshë të re mori pjesë në qëndresën popullore kundër shtypjes ekonomike e kombëtare që sollën reformat e Tanzimatit. Më 1875 u burgos nga autoritetet osmane. Mori pjesë në kuvendet e në veprimet luftarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të asaj të Pejës. Ishte një nga udhëheqësit kryesorë të kryengritjes së Kosovës të 1916 dhe u shqua për aftësitë luftarake, si strateg popullor në betejën e Kaçanikut, si edhe në betejat e Karadakut (Drenogllavës) e të Moraves. U dallua si një ndër udhëheqësit kryesorë edhe në Kryengritjen e përgjithshme antiosmane të 1912 në Kosovë, mori pjesë në çlirimin e Shkupit, Kumanovës, Gjilanit, Preshevës e Ferizajt. Në tetor 1912 në krye të mijëra luftëtarëve shqiptarë luftoi kundër pushtuesve serbornëdhenj në rajonet e Bujanovcit, Gollakut, Llapit e Kumanovës, ku i shkaktoi humbje të ndjeshme armikut. Udhëhoqi çetat kosovare në luftë kundër zgjedhës serbomadhe në, vitet 1913-1915 dhe kundër pushtuesve bullgarë në vitet 1916-1918. Vazhdoi luftën për çlirimin kombëtar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi deri në fund të jetës së tij. Emri i Idriz Seferit është një monument në vetvete dhe gryka e Kaçanikut është një nga hapësirat historike që përfaqëson ky emër”, thuhet në njoftimin e fondacionit.

Fondacioni që mban emrin e “Idriz Seferit” e cila drejtohet nga Prof. Sabri Kadriu ka paraqitur kërkesën, e miratuar si projekt ideor, nga komuna e Kaçanikut, ngritjen e monumentit të Idriz Seferit në Grykën e Kaçanikut.

Kuvendi komunal ka shprehur mbështetjen e tij për këtë nismë. Fondacioni “Idriz Seferi” është duke zhvilluar aktivitetin e tij në mbledhjen e fondeve për të ngritur monumentin e munguar të Idriz Seferit në Grykën e Kaçanikut.