MPJ reagon për foton ku shihej libri me mbishkrimin "Kosovo i Metohija"
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka reaguar pas publikimit të një fotografie nga Komisioneri për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku shihet një shkrim “Kosovo i Metohija”.
Haradinaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky është skandal diplomatik, provokim dhe anim.
“Projeksionet e tilla kanë vdekur, bashkë me regjimin gjenocidal të Millosheviqit.Këtë duhet t’a ketë të qartë çdo tavolinë, e çdo përfaqësues: Republika e Kosovës është një dhe e pacenueshme.”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Është përtej skandalit diplomatik dhe më shumë se provokim dhe anim – pritja e Komisionerit për Zgjerim të BE-së z.Olivér Várhelyi, bërë Vuçiqit me ekspozim të qëllimshëm të librave shovinistë, me emra që janë derivat i projeksioneve për spastrim etnik dhe pretendime territoriale ndaj shteteve tashmë të pavarura dhe sovrane.
Projeksionet e tilla kanë vdekur, bashkë me regjimin gjenocidal të Millosheviqit.
Këtë duhet t’a ketë të qartë çdo tavolinë, e çdo përfaqësues: Republika e Kosovës është një dhe e pacenueshme.
Kosova e 17 Shkurtit nuk preket!.























