Covid-19, vetëm 45% e të rinjve thonë se mbajnë maskë rregullisht në publik
Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka realizuar një sondazh të ri me të rinjtë në Kosovë, përmes U-Report.
Kësaj radhe janë pyetur të rinjtë për qëndrimet e tyre rreth virusit Covid-19.
1618 të rinj ju përgjigjen sondazhit dhe shprehën qëndrimet për masat parandaluese Covid-19 dhe bën të ditura masat që po marrin ata vetë, si dhe ato të miqve dhe shoqërisë së tyre të gjerë për t’u mbrojtur nga virusi.
Kosova, ngjashëm sikurse rajoni, kohëve të fundit ka shfaqur një rritje të rasteve të të infektuarve me Covid-19, pas lehtësimit të kufizimeve dhe përfundimit të izolimit.
“86% e pjesëmarrësve në anketë besojnë se duke mbajtur maskën ata e mbrojnë veten, të tjerët, ose të dy palët, por vetëm 45% thanë se mbajnë maskë rregullisht në publik”, thuhet në këtë sondazh.
Sipas këtij sondazhi, disa të rinjë janë skeptikë për faktet rreth virusit dhe masat paraprake të nevojshme.
“2% e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se mbajtja e maskës ka një efekt negativ.
10% e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se virusi nuk është i rrezikshëm apo nuk ekziston. 5% deklaruan se nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë mbrojtëse kundër Covid-19 në 2 javët e fundit. 7% e pjesëmarrësve në anketë deklaruan se do të vazhdonin të takonin një shok/shoqe të infektuar me Covid-19, pa ndonjë masë mbrojtëse (maskë, dorëza, distancë) – të gjithë prej tyre meshkuj. 26% i konsiderojnë shqetësimet e njerëzve për Covid-19 si të ekzagjeruara”, theksohet në këtë sondazh.























