Dallku: Të gjithë menduan se do vinim për shëtitje
Ballkani është ndalur në shtëpi pasi luajti baras 2:2 ndaj Prishtinës.
Skuadra nga Suhareka ishte dy herë në epërsi, por në dy raste mysafirët barazuan rezultatin.
Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, beson se skuadra e tij ka mundur të fitojë sot.
“Ishte ndeshje shumë e bukur, kishte mjaft raste e gola. Mirëpo, nëse do të ishim më të qetë para portës, do të dilnim fitues nga kjo ndeshje sepse e patë që kishim edhe raste për ta fituar ndeshjen”, tha Dallku në intervistën e dhënë për Supersport pas ndeshjes.
“E kemi parë edhe që është thënë se ne do të vijmë këtu vetëm sa për ta kaluar radhën, por, ne në asnjë mënyrë nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Luajtëm futboll, kështu që i përgëzoj djemtë për angazhim, përkundër që përfundoi barazim. Ndoshta me pak fat do ta fitonim edhe ndeshjen”.
Me këtë barazim, Prishtina edhe zyrtarisht humbet shanset për titull si dhe minimizon gjasat për Evropë. Ndërsa Ballkani gjendet afër kreut të tabelë me vetëm dy pikë larg Dritës.























