Raportuesja Von Cramon nuk e mbron interesin e Kosovës

Raportuesja Von Cramon nuk e mbron interesin e Kosovës

Shkruan: Blerta Deliu Kodra

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tashmë e ka dëshmuar që nuk e mbron interesin e Kosovës në asnjë rrethanë. Përkundrazi, prirja e saj është raportimi tërësisht i anshëm për çdo çështje rreth Kosovës dhe mbrojtja joparimore e disa personave brenda Kosovës.

Në thelb, ajo vepron në shpërputhje me detyrën e saj si raportuese: ajo nuk paraqet tërësinë e fakteve dhe nuk pasqyron zhvillimet objektive në Kosovë, por e bën punën e një komentatoreje politike me argumente të pathemelta e goditje ad-hoc. Me sjelljen e saj publike, ajo ka dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare në përgjithësi dhe ka deformuar realitetin tonë politik në raportimet me të cilat shërbehen europarlamentarët.

Kujtojmë se në disa raste ajo ka kritikuar SHBA-të se kanë ndihmuar “rrëzimin e Qeverisë demokratike”, e që logjika automatike e nënkupton vendosjen e një Qeverie tjetër jodemokratike.

Si mund të përfaqësojë interesin më të mirë për Kosovën në Parlamentin Europian një raportuese që në opinion proklamon Kosovën si një vend që nuk duron Qeveri demokratike?

E kuptueshme: ky është vetë thelbi i misionit të saj. Fatkeqësisht, një grusht politikanësh vendorë kanë zgjedhur ta mbështesin z. Viola von Cramon për ta forcuar pozicionin e tyre në dëm të interesave të Kosovës.

Ky entuziazëm anues për një parti të caktuar politike vërehet edhe në postimin e saj mbi Gjykatën Speciale të cilën e cilëson gurthemel të sundimit të ligjit që do t’i mbajë përgjegjës kryesit e krimeve të luftës në Kosovë. Pra, sipas saj, drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë vendoset me Gjykatën Speciale. Kujtojmë, me Gjykatën që gjykon vetëm UÇK-në: kjo, pra, tregon se prirja e saj nuk është raportimi i drejtë lidhur me Kosovën por njollosja e imazhit të saj.

Ne e kemi mbështetur këtë Gjykatë për arsye tashmë të njohura dhe për demantimin e sajesës së shekullit mbi “Shtëpinë fiktive të Verdhë”, të shpikur nga shërbimet informative serbe. Por, nuk e kemi mbështetur asnjë rol politik të saj për të konfiguruar skenën politike në Kosovë, siç është duke u kuptuar e tentuar të shfrytëzohet nga parti të caktuara politike dhe përkrahës të tyre. Për më tepër, Gjykatën Speciale nuk e kemi mbështetur asnjëherë si gurthemel të vënies së drejtësisë për viktimat e luftës në Kosovë, siç pandeh zonja Cramon dhe të tjerët si ajo.

Për zonjën Cramon, 20 mijë gratë e dhunuara shqiptare nuk janë viktima të luftës në Kosovë që u nevojitet drejtësi. Për zonjën Cramon, mbi 13 mijë të vrarët civilë shqiptarë nuk janë viktima të luftës në Kosovë që u duhet drejtësi. Për zonjën Cramon, dëbimi i rreth 1 milion shqiptarëve gjatë luftës nuk është padrejtësi. Për zonjën Cramon, gurthemel i drejtësisë në Kosovë është gjykimi i “luftës kriminale” të UÇK-së.

Gurthemel i drejtësisë në Kosovë ka qenë krisma e pushkës së parë për liri!

Askush nuk mund ta rishkruajë këtë histori. Aq më pak një gjoja raportuese me zero besueshmëri si z. Viola von Cramon!