Ambasada britanike: Nuk kemi bllokuar komunikimin me askënd
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë përmes një postimi në Twitter ka përgënjeshtruar pohimet e gazetës Koha Ditore, në një artikull ku citojnë ambasadën të ketë thënë se nuk komunikojnë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
“Ambasada britanike vazhdon të punojë me të gjithë liderët politikë dhe institucionalë të Kosovës. Ky është element normal dhe esencial i punës diplomatike të ambasadës. Si partner kyç dhe mik i Kosovës, Mbretëria e Bashkuar mbetet në kontakt të afërt më të gjitha pjesët e shtetit të Kosovës dhe me të gjitha partitë parlamentare nga qeveria dhe opozita”, thuhet në postimin e ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.
Reagimi vazhdon me sqarimin se çfarëdo pohimi se ambasada ka bllokuar komunikimin me liderë politikë apo institucionalë.
“Ambasada nuk ka “bllokuar komunikimin” me asnjë lider politik apo institucional. Çfarëdo pohimi tjetër është i rrejshëm”, përfundon reagimi i ambasadës britanike.























