Gazidis: Vazhduam me Piolin për një Milan konkurrues
Drejtori i përgjithshëm i Milanit, Ivan Gazidis ka vizituar sot skuadrën kuqezi në stërvitje së bashku me presidentin Scaroni. Kjo vizitë ndodhi pikërisht në ditën kur u zyrtarizua vazhdimi i kontratës edhe për dy vjet me trajnerin Stefano Pioli.
“Siç kemi thënë disa herë, Stefano Pioli ka qenë gjithmonë një kandidat për të ardhmen, për të zbatuar vizionin tonë për një Milan konkurrues dhe modern”, ka theksuar Gazidis.
“Sigurisht, si drejtor i përgjithshëm i klubit, kam për detyrë të vlerësoj të gjitha opsionet e mundshme për të mirën e Milanit, por kam një marrëdhënie të shkëlqyeshme me Stefano dhe gjithmonë e kam konsideruar atë një profesionist të jashtëzakonshëm, një drejtues të vërtetë, dhe për këtë arsye një kandidat absolut për të trajnuar Milanin”.
“Kam pasur kontakte me kandidatët e tjerë të mundshëm në të kaluarën, por mendoj se ka pasur shumë spekulime në media, pasi asnjëherë nuk kemi nënshkruar ndonjë marrëveshje apo para marrëveshje me ndonjë trajner tjetër përveç Stefano Pioli”.
Mbi hipotezën e Rangnick, ai shtoi: “Unë mohoj se ka angazhime ekonomike apo penale për klubin. Përsëris, asnjë marrëveshje nuk është nënshkruar ndonjëherë me kandidatët e tjerë të mundshëm. Pioli është zgjedhja ime e parë si trajner dhe jam i lumtur që kemi siguruar aftësitë e tij për projekt që kemi para nesh”.
“Tani duhet të përqëndrohemi që të përfundojmë këtë sezon në një mënyrë pozitive, në mënyrë që të përgatitemi më mirë për sezonin tjetër, me kohën e vogël që kemi në dispozicion”.























