Shoqëria jonë jeton si turmë, edhe pandemia kalon në turmë
Sharr Travel

Shoqëria jonë jeton si turmë, edhe pandemia kalon në turmë

Ballsor Hoxha

Populli ynë ka jetuar dhe jeton në sjellje të turmës dhe të kalimit të problemeve dhe edhe të viruseve, si turmë. As mundësitë tona institucionale dhe as sjellja jonë nuk janë të përshtatshme me karantinën.

Dy mundësitë e trajtimit të pandemisë në kohën e përhapjen e saj, përmes qevriesë paraprake dhe të qeverisë së tanishme, janë dy mundësi krejtësisht të dallueshme
Derisa trajtimi i saj përmes karantinës është trajtim racional dhe zgjedhje e distancuar nga mundësitë për mbijetesë të shoqërisë sonë. Trajtimi i pandemisë nga qeveria prezentë është një e keqe e domosdoshme.
Ajo që ia kishim frikën si shoqëri, dhe po ashtu edhe e tërë bota në përgjithësi, në të vërtetë është duke ndodhur. Njerëzit po vdesin, janë bllokuar ekonomitë, janë përhapur teori të konspiracionit dhe aq më shumë po acarohen raportet ndërnjerëzore, në shtresën lokale dhe në shtresën globale. Pandemia është e pandalshme, deri këtu, dhe deri në të ardhmen e parashikueshme.
Aq më shumë e tërë kjo po ndodhë derisa shoqëria kosovare është në prag të ndryshimeve rrënjësore: përfundimi i bisedimeve Prishtinë – Beograd; lëvizjet dhe në këtë dinamikat politike; jetësimi apo zhgënjimi me pavarësinë e Kosovës; pasojat e të qenit të udhëhequr për kohë të gjatë nga misionet e jashtme diplomatike etj.
Në anën tjetër e vërteta kolektive ka pësuar krizë dhe shpërhapje, shumëfishim të perspektivave.
Të gjitha së bashku përbëjnë një moment esencial për shoqërinë tonë, këtu ku ndodhemi dhe për ku jemi nisur. Moment për të parë përballë asaj që po ndodhë apo për të parë në perspektivat tona të zgjedhura. Në të vërtetë ne ose mund të zgjedhim të bashkohemi në përpjekje për të tejkaluar këto pragje dhe këto ndryshime, ose të krijojmë pafundësi të perspektivave mbi këto pragje të ndryshimeve që po ndodhin e që do të ndodhin.
Në këtë moment esencial të shoqërisë sonë ne, mbi të gjitha, po e vuajmë si shoqëri politizimin. Politizimin e krizave akute, dhe aq më shumë politizimin e ankthit të lartcekur, të paparashikueshmërisë së të vërtetës.
Çështja e cila ka përhapur ankthin dhe ka dezintegruar çfarëdo të vërtetë kolektive apo përpjekje kolektive është çështja e trajtimit të pandemisë nga virusi COVID 19. Derisa qeveria paraprake kishte regjim total mjekësor ndaj pandemisë, qeveria prezentë po e sheh pandeminë në perspektivë realiste dhe afat-gjatë, duke i dhënë përparësi mbijetesës dhe paparashikueshmërisë së zgjidhjes së pandemisë.
Në të vërtetë, nëse shikohet me neutralitet, çështja e trajtimit të pandemisë nga qeveria prezente, kjo edhe është e vetmja mënyrë e trajtimit të saj. Duke qenë se nuk ka një parashikim, dhe as zgjidhje të dukshme në të ardhmen e afërt të trajtimit të virusit COVID 19. Apo thënë më saktë një mundësi shërimi të qëndrueshëm të të gjithëve në këtë pandemi. Ajo që imponohet është zgjedhja e një të keqe më të vogël, një të keqe më të vogël që megjithatë ruan dhe mundëson mbijetesën e kolektivit dhe të vet shtetit.
Trajtimi i çështjeve me rrezik kolektiv dhe të shtetit në tërësi, në të vërtetë nuk janë çështje të diskutueshme, nuk janë as të debatueshme, ato janë rrezik kolektiv dhe në këtë kanë fjalën vetëm institucionet e zgjedhura nga populli bashkë me institucionet e kësaj fushe.
Por ajo që po ndodh është kriza e besimit dhe qëndrueshmërisë së vendimit dhe zgjidhjes kolektive. Është shpartallimi i kolektives dhe i organizmit, ndarja, jo për shkak të pandemisë apo për shkak të rrezikut, por për shkak të motivimit politik, si për të tërhequr rëndësi politike dhe po ashtu për të krijuar fuqi politike përmes pandemisë.
Pavarësisht vendimit kolektiv të tanishëm dhe situatës, ne jemi peng i një gjendjeje të pakontrollueshme, apo të kontrollueshme vetëm me rrezik të humbjes së qëndrueshmërisë së shtetit tonë. Pavarësisht vendimit të tanishëm ne nuk kemi zgjedhje dhe as mundësi tjetër.
Ne jemi shoqëri që jetojmë si turmë, qoftë në bazë të kushteve që mundësojnë institucionet tona, dhe qoftë në sjelljen tonë. Tërë historia jonë vërteton sjelljen tonë si mbijetesë dhe në këtë si fuqi e turmës. Andaj paniku që po përhapet nga diskutimi dhe dyshimi në vendimin institucional mbi trajtimin e pandemisë, është panik i cili është i huaj dhe i papërputhshëm me realitetin tonë. Në të vërtetë është politizim dhe invencion i politizuar si premtim politik, më shumë se sa zgjidhje praktike.