Manaj: Kam oferta nga klubet e Evropës
Sulmuesi i Trepçës ’89, Arb Manaj ka shkëlqyer këtë sezon në Superligën e Kosovës, duke qenë një ndër futbollistët kryesor të ish kampionit.
Manaj në një prononcim për Gazetën Objektiv ka pranuar së në drejtim të tij janë disa oferta, por që ende nuk ka vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën e tij.
“Po, kam disa oferta por ende nuk kam vendosur për të ardhmen time. Për momentin jam i foksuar në ndeshjen e radhës ndaj Prishtinës që të sigurojmë mbijetesën edhe për një sezon, pasi ky klub e meriton”, deklaroi Manaj.
Në këtë sezon, futbollisti nga Klina me golat e tij ka qenë vendimtar në shumë ndeshje të 89shit.
“Jam i lumtur që me golat që kam shënuar, kam ndihmuar skuadrën. Normalisht që do të dëshiroja ta fitoja “Këpucën e Artë””, përfundoi ai.
Manaj sot feston ditëlindjen e tij të 22-të. Në këtë sezon ka realizuar 17 gola dhe vetëm dy gola ka më shumë në vendin e parë talenti i Ballkanit, Blend Baftiu.
Trepça ’89 ndeshjen e fundit të sezonit e zhvillon në “Riza Lushta” kundër Prishtinës. Ish kampioni i Kosovës renditet në pozitën e tetë me 41 pikë.
Ndeshjen e fundit, futbollistët e trajnerit Shpëtim Idrizi mposhtën ish kampionin, KF Feronikeli me rezultat 1:2.
Vlen të theksojmë, se KF Drita dje u shpallë kampion i Superligës pas barazimit të Gjilanit me Ballkanin me rezultat 2:2.
Superliga e Kosovës përfundon në fund javë dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen të dielën me fillim të orës 17:00.























