Setti për Marash Kumbullën: E mbyllim për 10-15 ditë
Lazio dhe Interi vazhdojnë “duelin” për Marash Kumbullën.
Të paktën edhe për dy javë bardhekaltrit dhe zikaltrit do të bëjnë të pamundur për të bindur presidentin e Veronës Setti, i cili po pret ofertën më të mirë financiare para se të marrë vendimin përfundimtar.
Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare është një nga lojtarët më të mirë të rinj në Serinë A.
Ai ka zhvilluar një sezon të shkëlqyeshëm dhe menjëherë përfundoi në “radarët” e dy klubeve të mëdha italiane e jo vetëm.
Në një prononcim për Radio Deejay, presidenti Maurizio Setti foli për situatën 20-vjeçarit shqiptar: “Lazio apo Inter? Nuk e di, le të shohim. Do të jetë një luftë e bukur deri në fund. Kemi oferta të ndryshme për Kumbullën, por për ne gjëja më e rëndësishme është që lojtari dhe klubi të jenë të lumtur. Është diçka që do të vendoset brenda 10-15 ditëve të ardhshme”.
Në fund të qershorit Lotito provoi të bindte Settin për Kumbullën.
Edhe pse u tha se ishte arritur marrëveshja, Setti me sa duket nuk është bindur plotësisht nga oferta e presidentit bardhekaltër, 25-26 milionë, pasi kërkon 30 milionë euro. Ka ende diference mes ofertës dhe kërkesës, negociatat mbeten të hapura.























