Bashkimi Evropian nuk e komenton ‘përjashtmin’ e SHBA-së nga dialogu
BKT
Lajme

Bashkimi Evropian nuk e komenton ‘përjashtmin’ e SHBA-së nga dialogu

Bashkimi Evropian është deklaruar rreth përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë më me seriozisht përfshirjen e tyre në dialogun Kosovë-Serbi.

Madje, vetë emërimi i Richard Grenell si i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, nga njohësit e çështjeve integruese dhe ndërkombëtare në vend, është parë si dëshmi për seriozitetin dhe përkushtimin e Amerikës në këtë proces.

Richard Grenell ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, ku në këtë takim do të diskutohet rreth dialogut dhe çështjet ekonomike të të dyja vendeve.

Mirëpo, i pyetur nga lajmi.net, se çfarë konkretisht do të diskutohet në takimin e 27 qershorit, Dick Custin, zëdhënës i emisarit Richard Grenell, nuk ka dhënë detaje.

“Fatkeqësisht, nuk mund të ju them asgjë në lidhje me përbërjen ose përmbajtjen e takimit”, është shprehur shkurt Custin.

Në anën tjetër nga Bashkimi Evropian, kanë potencuar për lajmi.net se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partner i rëndësishëm dhe se të tillë do të vazhdojnë të jenë përherë.

“Për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partner i rëndësishëm. Ata kanë qenë gjithmonë dhe do të jenë gjithmonë”, ka deklaruar për lajmi.net, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Theksojmë se në Shtëpinë e Bardhë pala kosovare do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti, kurse pala serbe do të përfaqësohet nga presidenti, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja, Ana Bërnabiq.


MË SHUME NGA Lajme