Musliu-Shoshi komenton incidentin në Komisionin për Punë të Jashtme
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi e cila është anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme ka folur rreth incidentit që ka ndodhur sot në mbledhjen e këtij Komisioni.
Shoshi Musliu thotë se debati ka degraduar shumë dhe gjuha parlamentare gjithashtu, ajo thotë se është Fitore Pacolli ajo që nxit gjithmonë të ndodhin gjëra të tilla.
“Zakonisht përplasjet ndodhin për arsye deputetes Fitore Pacolli. Ajo në çdo mbledhje e bën pothuajse të pamundur për neve të japim kontributin për çfarë jemi të thirrur. Sot ishte ndër mbledhjet më të rëndësishme sepse ajo se çfarë raportonte ministrja ishte e ndarë në dy mbledhje. Pyetjet ishin jashtëzakonisht të mira, unë munda t’i bëjë pyetjet e mija dhe të marr përgjigje. Të tjerët nuk patën mundësi sepse përfundoi mbledhja”, tha Musliu-Shoshi në Klan Kosova.
Më tutje, Musliu-Shoshi thotë se nuk e ka parë gjithçka çfarë ka ndodhur, por pohon se “nuk ka qenë asgjë rrezik”.
“Gjuha parlamentare dhe sjelljet kanë degraduar dhe këto nuk të bëjnë mirë të ndjehesh si deputete. Unë mbeta duke lexuar dokumente, pastaj pashë përplasje, por nuk pashë, janë kamerat të cilat tregojnë gjithçka edhe me zë. Unë e kam parë Fitoren kur ka ardhur dhe ka bërtitur dhe nuk e di se çfarë ka thënë. Unë Gazin e kam parë me telefon duke incizuar. Mirëpo unë pastaj vazhdova dhe nuk pata mundësi të shoh se çfarë ka ndodhur, e pashë se nuk kishte ende rrezik. Gazi dhe Fitorja kanë ardhur mbrapa meje”, tha Musliu-Shoshi.























