Koment: Të drejtat e grave janë ndërkombëtare
Sharr Travel

Koment: Të drejtat e grave janë ndërkombëtare

Qeveria nacional-konservatore polake e kishte sinjalizuar prej kohësh: Tani Polonia planifikon të dalë nga Konventa e Stambollit kundër dhunës ndaj grave. Një hap me pasoja, shkruan Magdalana Gwozdz-Pallokat.

Polonia zë sërish kryetitujt ndërkombëtarë. Në vende të tjera nuk po kuptohet, pse ky vend do të dalë nga një marrëveshje e Këshillit të Europës për luftimin e dhunës kundër grave, Konventën e Stambollit. Në një kohë që Polonia jo vetëm e ka nënshkruar kontratën, por ndryshe nga Hungaria dhe Sllovakia e ka ratifikuar para pesë vjetësh, para se ta bënte madje edhe Gjermania. Madje edhe në Poloni nuk po e kuptojnë të gjithë se çfarë synojnë njoftimet e ministrit të Drejtësisë, Zbigniew Ziobro në fundjavë: "zbatim i premtimeve zgjedhore." Ka filluar ndërkohë kërkimi me imtësi i shkëndijës shpërthyese - gazetarë dhe ekspertë vrasin mendjen, se çfarë fshihet pas kësaj, e përse?

Në fund të fundit bëhet fjalë për diçka themelore: për mbrojtjen e grave dhe vajzave, për kategorizimin e të gjitha formave të dhunës shtëpiake si krim dhe veprimin kundër diskriminimit specifik gjinor. Normalisht tema që nuk duhet të ndezin debat në kohët tona. Por ministrin polak të Drejtësisë e shqetëson që ky dokument, sipas tij, "për shkaqe ideologjike", familjen, martesën, kulturën, traditën apo fenë i emërton si "arsye kryesore" të një dhune të tillë. Por dhuna familjare shfaqet pra në martesë dhe familje, dhe gjymtimi gjenital justifikohet me gjoja arsye fetare apo rregulla të traditës - këtë nuk e dinë vetëm viktimat.

Nocioni "ideologji", që përdoret për të denigruar lëvizjen e LGBT funksionalizohet sërish edhe këtu. Marrëveshja e Stambollit çon në "një çorganizim të shoqërisë dhe drejtohet kundër familjes dhe martesës" -  dy gjëra të shenjta në Poloni. Ministri ka parasysh dy nga disa pika të konventës, saktësisht luftimin e roleve të përcaktuara nga e shkuara mes burrit dhe gruas.

Qeveria e Polonisë duhet të garantojë mbrojtjen e të gjithë qytetarëve

Me që ra fjala do të ishte hera e parë prej vitesh që Polonia largohet nga një marrëveshje ndërkombëtare, ku flitet për të drejtat e njeriut. Një zhvillim i trishtë, jo vetëm, sepse bëhet fjalë për mbrojtjen e bashkëqytetarëve të mi. Bëhet fjalë për një ndjenjë sigurie të përgjithshme, të jetosh në një shtet, në të cilin nuk kthehet gjithçka kokëposhtë, vetëm sepse formulime të caktuara nuk të përshtaten me atmosferën politike të ditës.

Kjo ndjenjë sigurie lidhet me besimin, se marrëveshjet ndërkombëtare respektohen, por ashtu edhe detyrimet kundrejt vendeve të tjera si për qytetarët e vendit, për të gjithë, jo vetëm për ata që e ndjekin kursin e qeverisë. Në një kohë që zgjedhjet presidenciale para dy javësh kandidati i partisë nacional-konservatore, PiS, Adrzej Duda i fitoi me një shumicë të ngushtë, ato treguan se vendi është i ndarë mes përkrahësve të qeverisë dhe kritikëve.

"The show must go on" mund të thuash, se sloganet e fushatës zgjedhore vazhdohen edhe më tutje nga dega e drejtësisë. Polonia, kështu thotë ministri i Drejtësisë me zë të lartë, i mbron gratë e saj si asnjë vend tjetër. Kjo mund të qëndrojë, por në interes të grave polake do të ishte po ashtu, që si garant për këtë të mos jetë vetëm ministri polak i Drejtësisë, por instanca më të larta, dhe mundësisht ndërkombëtare./DW