MKRS do të investojë 200 mijë euro në stadiumin e qytetit në Suharekë
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, e ka vizituar sot Komunën e Suharekës.
Ajo e ka vizituar fillimisht Kuvendin Komunal, për të vazhduar më pas me vizitën në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyqi”.
Dumoshi tutje ka shkuar në stadiumin e qytetit, ku do të investojë MKRS-ja dhe më pas për t’i parë nevojat për investime në transport.
Njoftimi i ministres Dumoshi:
Bashkë me zv/kryeministrin Driton Selmanaj dhe zv/ministrin Halil Matoshi, ishim sot në vizitë në Suharekë.
Me Kryetarin Bali Muharremaj nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit mes Komunës së Suharekës dhe MKRS-së, për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”, në vlerë prej 2.6 milionë. Ky investim i kontribuon jetës kulturore në Suharekë dhe u ofron kështu qytetarëve mjedise ku mund të përcjellin ngjarje kulturore e artistike.
MKRS ka ndarë edhe 200.000 për Stadiumin e qytetit në Suharekë. Këto mjete ndahen në vazhdën e investimeve që MKRS po bën në komuna të ndryshme nëpër Kosovë, për ta ndihmuar e rregulluar infrastrukturën sportive.
Vizitën në Suharekë e përfunduam në Studentqan ku vumë themelin e stadiumit ndihmës.
Unë si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qeveria Hoti në përgjithësi, mbetemi të përkushtuar maksimalisht që shtrijmë bashkëpunimin në të gjitha komunat e Kosovës dhe t’i kontribuojmë projekteve sa më të mira kulturore, sportive e rinore.























