MKRS 2.6 milionë euro për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë
Sharr Travel

MKRS 2.6 milionë euro për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, zëvendësministrat Halil Matoshi e Nexhat Ramadani dhe një pjesë të stafit të MKRS-së kanë vizituar sot Komunën e Suharekës.

Gjatë kësaj vizite Dumoshi dhe stafi i MKRS-së u pritën në Komunë nga kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.

Në takim u bisedua për projektet që financon MKRS-ja dhe bashkëpunimin me Komunën.

Gjatë takimit u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”, projekt ky për të cilin MKRS-ja do të investojë rreth 2.6 milionë euro.

Dumoshi me këtë rast tha se nënshkrimi i këtij memorandumi ka rëndësi të madhe. Ky investim i kontribuon jetës kulturore në Suharekë dhe u ofron kështu qytetarëve mjedise ku mund të përcjellin ngjarje kulturore e artistike.

Ndërkaq Selmanaj tha se në këtë komunë do të ketë investime edhe në infrastrukturë dhe do të ketë edhe në projekte të tjera për ta përmirësuar jetën e njerëzve.

Muharremaj u shpreh i lumtur për vizitën e krerëve institucionalë dhe për investimet e pakursyera në këtë komunë.