Katër fëmijë hanë një akullore dhe nuk kanë frikë nga virusi
Sharr Travel

Katër fëmijë hanë një akullore dhe nuk kanë frikë nga virusi

Shkruan: Behare Bajraktari, gazetare

Janë dy kategori të fëmijëve: ata që tërë ditën rrinë në rrugë, që prej 8 të mëngjesit e deri në mesnatë dhe kategoria tjetër që rrinë mbyllur në shtëpi e online

Sipas disa hulumtimeve të fundit, të cilat edhe sugjerojnë që personat që e tejkalojnë  Covid-19 nëse merren me aktivitete sportive apo me aktivitete fizike do ta tejkalojnë me shpejt edhe do të jenë më të shëndetshëm. E, më pak të prekur janë sportistët si për nga aspekti shëndetësor, ashtu edhe për nga respektimi i masave dhe disiplinës së tyre.

Ndërsa krejt ndryshe vendos ministri i Shëndetësisë, madje fare pa u konsultuar edhe me institucionet që i njohin më mirë rrethanat. Pra, më 30 korrik merret vendimi për mbylljen e qendrave rekreative sportive, si në ambiente të hapura, ashtu edhe të mbyllura. Sportistëve u ndalohet të bëjnë stërvitjet e tyre.

Përveç në rastin e fundit që pishinat e mbyllura hapen ndërsa qendrat rekreative - në këtë rast futbolli dhe sportet e tjera në fushë të hapur, mbyllen.

Lejohet hapja e kafeneve ku shkon secili edhe pse në shumicën e prej tyre nuk zbatohen masat për ndalimin e përhapjes së korona-virusit, ndërsa mbyllen qendrat reakreative/sportive.

E, në këto qendra shkojnë njerëz të caktuar, z. Ministër! Nuk mund të shkoj kushdo, por as kurdo.

P.sh, Ministër: në një klub futbolli për fëmijë, s’mund të hyjnë në fushë ata që shkojnë në kafene apo restorante. Ato vende janë specifike vetëm për sportistë, në këtë rast vetëm për fëmijët. Pra, sallat e palestrave, që janë ambiente të mbyllura, hapen, ndërsa qendrat rekreative sportive në ambiente të hapura, mbyllen.

Pra, me këto vendime po i bie që korona-virusi vepron me listë, me radhë, një herë infekton ata, e pasi Qeveria t’i mbyll, pastaj kthehet tek këta. (Satirë)

Fëmijët janë pa kurse, pa shkollë, pa asnjë aktivitet fare dhe nëse u ndalet edhe aktiviteti sportiv, do të kenë pasoja të mëdha dhe të pakthyeshme.

Sigurisht, ju s’do të merrni përgjegjësi për asnjë pasojë, përveç prindërve të tyre.

Ministër, aktualisht janë dy kategori të fëmijëve: ata që tërë ditën rrinë në rrugë, që prej 8 të mëngjesit e deri në mesnatë dhe kategoria tjetër që rrinë mbyllë në shtëpi  online.

Pra, që të dyja kategoritë janë të rrezikuara,dhe nëse edhe sportin ua mbyllni fëmijët do të rrezikojnë të shkatërrohen si në aspektin fizik, gjithashtu dhe në atë mendor e emocional.

Nëse ju po gjykoni se në qendrat rekreative infektohen me korona-virus prindërit ose familjarët e tyre çdo ditë shkojnë në punë dhe dalin nëpër kafene, ose edhe shkojnë për pushime në Shqipëri dhe Mal të Zi, pra fëmijët nuk infektohen nëpër klube sporti, z. Ministër!

Vetëm pas presionit dhe kritikave të shumta ju tashmë lejuat hapjen e çerdheve/kopshteve, varësisht prej vendimit që do të marrin komunat. Shumë prindër u detyruan të bëjnë zgjidhje të pakëndshme gjatë kësaj periudhe. Ata me fëmijët e tyre janë në kontakt dhe i dërgojnë tek gjyshërit. E, siç dihet, të moshuarit janë kategori e ndjeshme ndaj korona-virusit. Por, as në këtë rast me këtë vendim të moshuarit nuk arritët t’i mbroni, nëse e patët këtë qëllim.

Disa prindër humbën vendet e tyre të punës, sepse s’patën  ku t’i linin fëmijët e tyre ... edhe disa të tjerë që nuk patën asnjë familjar afër që të kujdeseshin për fëmijët e tyre ... shtoja kësaj situate edhe prindërit vetushqyes.

Pra, ju, Ministër, edhe të tjerët rreth jush, nuk menduat seriozisht për vendimet që morët.

Por, në këtë listën e përgjegjësive është edhe ministri i Arsimit, përveç zyrtarëve të tjerë.

Ministër, janë vetëm edhe 31 ditë që i ndan fëmijët nga fillimi i vitit të ri shkollor. Kohë më parë i pari i Arsimit  tha se që gjasat janë të vogla që as në shtator të fillojë mësimi.

Ministër, ju jeni aty për të gjetur zgjidhje më të mira, e jo për të krijuar dyshime e pasiguri. A mund të bëhet mësimi me gjysmën e nxënësve në klasë? Për shembull, nëse klasa i ka 30 nxënës, 15 të shkojnë një ditë dhe 15 të tjerët  ditën tjetër. Ose, 15 nxënës një javë dhe 15 nxënës javën tjetër. Kështu mund ta ruajnë distancën fizike duke mbajtur edhe higjienë personale me dezinfektues dhe larje të shpeshta të duarve.

Fëmijët s’mund të vazhdojnë më me shkollën online. Mbase zyrtarët burokratë janë të lumtur që arritën të bëjnë diçka, por kjo ishte asgjë fare.

Kishte shumë arsimtarë që s’dinin të përdornin as pajisjet kompjuterike; kishte shumë nxënës që nuk kishin pajisje teknologjike për të vijuar mësimin, ndërsa ju zyrtarët “krenar” nuk mund ta dëshmoni suksesin.

Ka pasur shumë studentë që gjatë ligjëratave monotone ia kanë futur gjumit, ka pasur shumë raste kur dikush tjetër ua ka bërë nxënësve detyrat, ashtu siç mësueset në TV vetëm i lexonin detyrat.

Veç sa për lexim dhe përshkrim detyrash, më mirë mos të qohet koha dëm.

Fëmijët duhet të kthehen në shkollë, nëse kjo nuk ndodhë, ata do të humbin shumë.

Ja, po flas për dy nivele të nxënësve:

Në mësimin e çaluar online nxënësit e klasës së parë, fare s’e kanë pasur idenë e mësimit, shumë prindër kanë treguar që fëmijët gjatë orëve online kanë vizatur, kanë luajtur me lodra apo gjëra të tjera, por s’e kanë pasur idenë çfarë është ai lloj mësimi. Për ata është humbje. Bëjuni një test dhe do ta kuptoni se a kanë mësuar ndonjë gjë!

Edhe më shumë humbje do të jetë për nxënësit që e fillojnë sivjet klasën e gjashtë.

Fëmijët nuk e kanë takuar dhe as e njohin asnjë arsimtar. Kujdestarin apo kujdestaren e klasës nuk e njohin, e as kujdestari apo kujdestarja e klasës nuk i njeh ata, nuk i kupton dhe, natyrisht, s’do të dijë si t’i vlerësojë në mësimin online.

Nëse janë 12 lëndë, do të jenë 12 arsimtarë. Për nxënësit e kësaj moshe, me arsimtar dhe lëndë të panjohura, fare s’do të jetë motivues as mësimi e as përqendrimi. Ata do të ndjehen të përhumbur në mësimin online. Ky vit do të jetë vit dhe mësim i humbur.

Pra, Ministër, fëmijët duhet të kthehen në shkollë. Ju, jeni aty për të krijuar mundësi, e jo për të kundërtën.

Të kthehemi në kohën para se të ndërpritej mësimi i rregullt më 11 mars, para se të shpallej gjendja pandemike.

Ka shumë raste e shembuj, unë po ua tregojë vetëm një: Në të njëjtën paralele, njëra klasë kishe bërë rreth 300 mungesa për pak ditë që kishin munguar nxënësit, sepse  ishin të sëmurë me grip, sepse në atë periudhë zyrtarisht nuk ishte pandemia e korona-virusit, dhe në klasën tjetër nuk kishte asnjë mungesë sepse s’kishte të sëmurë me grip. Tashti, sipas informatave dhe shenjave, ne mund të themi që e kanë pasur korona-virusin, por kjo nuk është vërtetuar dhe mbetet vetëm dyshim ... duhet të themi se ka qenë vetëm grip sezonal (...)

Pra, tash s’e dimë a jemi në valën e dytë apo në valën e tretë të korona-virusit, z. Ministër, sepse valën e parë, me sa po vërtetohet, e paskemi kaluar moti.

Por shkollat duhet të hapen, s’mund të pranohet si arsyetim se për t’u hapur shkollat na duhen 1 milion euro për dezinfektim.

Pra, z. Ministër, taksat tona duhet të shkojnë për shkolla, për dezinfektim dhe për masat mbrojtëse. Fëmijët tanë s’mund të rrinë të mbyllura edhe më tej. U bënë 4 muaj pa mësim, pa shkolla, pa kontakte me shokë e shoqe, pa vijim normal të jetës së tyre shkollore ... dhe jo vetëm.

Nëse ndalohet shkolla për shkak se Qeveria s’mund të ndaj para për dezinfektim, siç është thënë gjatë muajit maj, kjo është skandaloze.

Nëse keni frikë që në shkolla infektohen, po ju them se fëmijët tërë ditën rrinë nëpër oborre të banesave kokë më  kokë. Fëmijët rrinë nëpër lagje tërë ditën e lume, hanë e pinë bashkë. E, ata fëmijë, siç mund ta merrni me mend  nuk janë të së njëjtës familje.

Siç tregoi një banor i lagjes “Ulpiana” në Prishtinë, gjersa i shihte nga ballkoni, tha:  “Katër fëmijë e lëpinin një akullore”. Pra, pse korona -virusi ju ngjitet veç në shkollë, e jo edhe në lagje, jo në shtëpi, e jo edhe kur shkojnë të njëri-tjetri mysafir nëpër familjarë, shoqëri e miqësi?

 

Pyeteni shefin IKSHPK, z. Ramadanin, pyetni epidemiologët për këto sjelljet shoqërore të fëmijëve,

Pra, me korona-virus fëmijët infektohen veç në shkolla, por jo nëse janë 50 veta në restorante e dasma, apo si është…?

Me një fjalë, korona-virusi po i pret fëmijët te dera e shkollës, por jo te dera e restoranteve, zyrave, e as te sallonet e bukurisë… etj.

Me këto veprime ju po leni të nënkuptohet se korona -virusi infekton veç në institucione shteterore dhe publike, po në ato private jo.

Ose diku po, e diku jo. Po të ishte kështu korona-virusi do të infektonte shumë zyrtar të institucioneve të cilët në masë të madhe nuk i kanë respektuar masat kundër- covid-19.

Ne jemi duke u mësuar që edhe një periudhë do ta kemi në mesin tonë corona virusin  apo siç po thonë studiuesit mund ta kemi edhe përgjithmonë. E, hapjen e shkollave veç mund ta vononi, e humbja do të jetë e madhe, por mbyllja e shkollave nuk do të mund të bëhet deri në verën e vitit 2012, ashtu siç po thonë ekspertët gjermanë që në atë kohë mund të përdoret vaksina. Apo ndoshta dikush beson që 10 gushti i vaksinës ruse do ta sjellë çlirimin nga korona- virusi.

Njerëzit po besojnë që me vaksinën e Bill Gate do të injektohet të gjithë njerëzit edhe një çip për t’i kontrolluar ata, pra e a besoni që ndryshe do të bëjë vaksina ruse?

A mund të rrinë jashtë shkollave nxënësit deri verën e vitit 2021?

Këtë letër ua drejtoj të gjithë zyrtarëve të shtetit, qeveritarëve dhe deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

Për shkak të përgjegjësive direkte që kanë, ju drejtohem:

Ministrit të Shëndetësisë, z.Armend Zemaj

Minstrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z Ramë Likaj

Kryeministri të Kosovës, z.Abdullah Hoti

Ju lutem, mos i mbyllni qendrat rekerative - sportive sepse është e vetmja mundësi e fëmijëve për këtë kohë të mbylljes totale

Ju lutem, krijoni sa më shpjet plane që shtatori të fillojë me mësim në shkolla!