Aktori Afrim Muçaj përkujton regjisorin Bekim Lumi
Sharr Travel

Aktori Afrim Muçaj përkujton regjisorin Bekim Lumi

Dy vjet u mbushën nga vdekja e regjisorit Bekim Lumi. Ai mbylli sytë pakë kohë pasi arriti, ashtu i sëmurë të realizojë inskenimin e shfaqjes, “Arturo Iu” në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Me këtë rast Afrim Muçaj, njëri ndër aktorët më të angazhuar kohëve të fundit, përkujton profesorin dhe regjisorin, Bekim Lumi.

“Iku Lumi, miku, regjisori dhe profesori im i “vështirë”. Gjeniu i  ndërtimit të roleve dhe shfaqjeve të papërsëritshme”, shkruan pos tjerash Muçaj.

Po e sjellim të plotë postimin e aktorit në rrjetin social, Facebook:

Mëngjes i hershëm i 30 korrikut

I urrej telefonatat e natës së vonë, e sidomos ato të paramëngjesit.  Sa herë kam marrë një telefonatë të tillë më është thyer zemra si një gotë kristali që nuk kam mundur ta rikuperojë kurrë. 

Shpesh herë e mbaj telefonin e mbyllur natën, pikërisht me arsyejen dhe lutjen që deri në mëngjes kur të zgjohem të mos më ketë marrë askush.

Por mëngjesin e hershëm të 30 korrikut e kisha lënë të hapur telefonin për dreq, zilja po bije dhe po bije pa ndërprerë, e urrej ta hap telefonin derisa të paktën të shoh dritën në dritare, kthehem në krahun tjetër por është e pamundur ta vazhdoj gjumin, ngrihem ngadalë dhe ulem në shtrat, marrë telefonin shpejtë të ia ndal zilen që të mos e zgjoj vajzën time të vogël asaj kohe dhe dal në dhomën tjetër,  shoh që (Jetoni) vazhdonte ti bije telefonit tim, kryesisht kur ai më merr në telefon përgatitem për shumë humor brenda asaj thirrje, por kësaj radhe ishte ndryshe, hap telefonin dhe të vetmen fjalë që dëgjova ishte: “Muçë, Lumi na la”…

Edhe pse këtë fjalë isha përgatitur ta dëgjoj qysh nga qershori i vitit 2017, por qe e pamundur të mos ngulfatesha në atë mëngjes.

Nisem drejt spitalit amerikan, gjatë rrugës shikimi hera herës më humbiste duke vozitur, momente pafund më vlonin në kokë, ngjarje dhe batuta pa fund, nuk ishin as një muaj i plotë kur me fuqinë e fundit në provat e fundit të shfaqjes “Arturo Ui” na thoshte qe unë kam veç dy rrugë “me ba këtë shfaqje edhe me vdekë”, shfaqja ishte ba me 14 qershor ndërsa me 30 korrik 2018 ishte rruga e dytë që Lumi pa dëshirën tonë ia mbajti fjalën vehtës.

Eh sa herë e kundërshtuam që tia ndryshonim mendimet dhe fjalët, por si edhe herave të tjera nuk na dëgjoi se nuk na dëgjoi.

Iku Lumi, miku, regjisori dhe profesori im i “vështirë”. Gjeniu i  ndërtimit të roleve dhe shfaqjeve të papërsëritshme. Kërkuesi i zanoreve dhe bashkëtingëlloreve të shqiptuara në përsosmëri, i qëndrimit dhe shikimit që e djersitë publikun, kërkuesi i netëve të gjata të lëvizjeve skenike deri në skajshmëri, i zanit kumbues dhe drithërues, i mbajtjes së rekuizitave në duar si xhevahir Smeraldi.

Lum, po e përsërisë vetëm një frazë të statusit tim në ditën e ikjes tande: “Lum, lumi unë që ti, me artin dhe shkëlqimin tënd skenik, je pjesë e biografisë sime artistike.

Bekim e Lum për ne që të patëm!

"Zoti të artësoftë"