Si të merrni një ofertë pas çdo interviste pune?

Si të merrni një ofertë pas çdo interviste pune?

Për shumë njerëz, intervistat e punës janë përvoja stresuese dhe nga frika se nuk do ta kenë paraqitjen e duhur para intervistuesve ata shpesh gabojnë. Në mënyrë që të lini përshtypje sa më të mirë në intervista pune përgatitja paraprake është e domosdoshme. Si arrihet kjo përgatitje?

Akademi Pune ju përcjell disa këshilla të vyeshme se si të paraqiteni në intervista pune dhe t’i tregoni panelit intervistues se jeni kandidati/ja që ata janë duke kërkuar.

Para intervistës hulumtoni kompaninë ku keni aplikuar

Kjo vlen edhe para se të dërgoni CV-në tuaj në një kompani. Preferohet që të mos e dërgoni CV-në pa hulumtuar historikun e kompanisë në të cilën doni të aplikoni për punë. Prandaj, bëni hulumtime online si p.sh përdorni platformën LinkedIn për të kontrolluar profilin e asaj kompanie, pasi shumica e kompanive tashmë kanë llogaritë e tyre në LinkedIn. Mund të bëni vlerësime duke u bazuar në cilësinë e postimeve që ata bëjnë, sa shpesh shpërndajnë lajme dhe informata rreth kompanisë si dhe sa ndjekës kanë.

Nëse po aplikoni për një pozitë si menaxher i marketingut, dhe keni informata se menaxheri aktual i marketingut ka qenë me atë kompani për vetëm 6 muaj, ndërsa menaxheri i mëparshëm ka qëndruar për 9 muaj, mbase ekziston një çështje e brendshme që i bën njerëzit të largohen. Prandaj, është mirë që të rishqyrtoni nëse doni ta pranoni atë intervistë pune apo jo.

Gjithashtu, kontaktimi i njerëzve që punojnë për atë kompani ju jep një përmbledhje të shkëlqyeshme se sa e kërkuar është ajo kompani. Profili i tyre është një mjet i shkëlqyeshëm për të gjetur lidhje të përbashkëta ose kompani për të cilat keni punuar. Po ashtu, hulumtoni edhe në rrjete tjera sociale si Facebook ose Instagram, në varësi të industrisë së kompanisë me të cilën do të mbani intervistën. Ato ju japin një pasqyrë për kulturën e kompanisë, ngjarjet e tyre të brendshme dhe informata të tjera të ngjashme.

Mos harroni të vizitoni web faqen e asaj kompanie. Pavarësisht nga madhësia e kompanisë, shumica e kompanive në ditët e sotme kanë një faqe në internet ku promovojnë produktet dhe punën e tyre. Aty mund të merrni informata të rëndësishme për kompaninë siç janë viti i krijimit të kompanisë, cili është saktësisht biznesi i tyre, klientët e tyre dhe shumëçka tjetër.

Cilat janë vlerat që sillni për kompaninë?

Pasi të keni bërë hulumtimin e plotë të kompanisë, duhet të keni një pasqyrë të qartë për rëndësinë e pozitës për të cilën do të intervistoheni. Kjo do t'ju ndihmojë të pozicionoheni më mirë si kandidat dhe të përdorni përvojën tuaj për të shpjeguar se si do të ishit në gjendje të ndihmonit kompaninë nëse ata ju punësojnë.

Për shembull, nëse jeni të ftuar për një intervistë pune për zhvillimin e biznesit, ju veçse e dini nga web faqja e tyre se kush janë klientët e tyre aktual pasi keni hulumtuar web faqen e tyre paraprakisht. Kësisoj, ju mund të keni një ide se kush është tregu i tyre i synuar, sipas madhësisë dhe industrisë së klientëve të tyre.

Jeni të sinqertë

Pavarësisht pozitës dhe rolit për të cilin jeni duke u intervistuar, gjithmonë flisni të vërtetën. Askush nuk pret nga ju të dini gjithçka dhe të jeni perfekt në të gjitha aspektet. Përgjatë intervistës normalisht se mund të ketë ndonjë pikë ku nuk keni informata të shumta rreth saj. Mirëpo, nëse tregoheni të sinqertë dhe shfaqni gatishmëri të zhvilloheni në fushat ku keni ngecje, kjo dëshmon sinqeritetin tuaj dhe vullnetin për tu zhvilluar profesionalisht.

Keni vetëbesim

Duhet të shfaqni vetëbesim për atë që jeni dhe për përvojën tuaj. Asnjëherë mos harroni! Momentin që merrni ftesë për intervistë nga një kompani, kjo do të thotë që ata kanë parë vlera në përvojën tuaj. Tani, ju vetëm duhet t'u tregoni atyre personalitetin tuaj./AkademiPune/