Thaçi: Mungesa e Dr. Hafir Shalës është plagë e thellë
BKT
Lajme

Thaçi: Mungesa e Dr. Hafir Shalës është plagë e thellë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar doktor Hafir Shalen.

Presidenti i Kosovës ka përkujtuar doktorin e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Thaçi përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se Hafir Shala ishte doktori i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe I mungon Kosovës që 22 vjet

“Tërë kapacitetin intelektual dhe shpirtin humanitar, dr. Hafir Shala e vuri në shërbim të popullit, si mjek, në periudhën kur shëndetësia e Kosovës u largua nga institucionet.

Me daljen publike të UÇK-së, dr. Hafir Shala me guxim qytetar dhe përgjegjësi atdhetare ishte aty ku duhej, pranë luftëtarëve të lirisë, duke i shëruar dhe inkurajuar.

Duke qenë në krye të misionit të tij profesional dhe patriotik, dr. Hafir Shala u kidnapua nga strukturat e sigurisë serbe në prill 1998, në rrugë e sipër për të siguruar barnat e domosdoshme për ushtarët e plagosur.

Për fat të keq ende nuk dihet për fatin e mjekut, ish të burgosurit politik të viteve tetëdhjetë të shekullit që shkoi.

Mungesa e dr. Hafir Shalës është plagë e thellë për familjen e tij dhe shoqërinë tonë, ashtu si mungesa e shumë personave të zhdukur nga shërbimi sekret serb dhe segmente tjera të policisë dhe ushtrisë serbe.

Liria dhe pavarësia e Kosovës qëndron mbi gjakun e shumë dëshmorëve, martirëve dhe qytetarëve tanë.

Emri i doktor Hafir Shalës hyn në radhën e emrave që i bëjnë nder të veçantë kategorisë së të burgosurve politikë dhe mantelbardhëve që u angazhuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka shkruar Thaci.



MË SHUME NGA Lajme