Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Qeverisë Hoti

Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Qeverisë Hoti

Lëvizja Vetëvendosje po bëhet gati për ta çuar Qeverinë Hoti në shtëpi.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie Rexhep Selimi ka thënë se nga sot ka nisur me mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mos besimit ndaj Qeverisë Hoti.

Ai në një konferencë për media ka thënë se qeverisja ilegale, katastrofa humanitare dhe kapja e shtetit janë arsye të mjaftueshme që të mbështetet mocioni nga secili deputet edhe nga parti të tjera.

Selimi tha se në këtë mënyrë i hapet rrugë mbajtjeve të zgjedhjeve të reja.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci tha se Qeveria Hoti e ka kolapsuar tërësisht sistemin shëndetësor edhe ashtu të brishtë.

“Përveç kolapsit në shëndetësi, kjo qeveri ende nuk ka plan konkret për rimëkëmbje ekonomike. Kjo qeveri po e çon vendin drejt një katastrofe humanitare”, tha ajo.

Nagavci ka folur edhe për dështimin në ndërmarrjet publike, siç tha po rikthehet kapja e tyre nga partitë në pushtet. Ajo po ashtu tha se bordet e pavarura të cilat po shkarkohen nga Qeveria Hoti janë veprime të papërgjegjshme.

Nagavci ndër të tjera ka thënë se qeveria nuk ka platformë për dialogun me Serbinë. Ajo theksoi se Kosovës i nevojitet një qeverisje në interes të qytetarëve./KosovaPress/


MË SHUME NGA Aktuale