Kuçi bashkëbisedon me ambasadorët evropianë për rimëkëmbjen ekonomike

Kuçi bashkëbisedon me ambasadorët evropianë për rimëkëmbjen ekonomike

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mbajtur sot një takim virtual me zëvendësshefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, me të cilin ka diskutuar në lidhje me promovimin e politikave të BE-së në lidhje me rimëkëmbjen ekonomike dhe dëmet e shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Në këtë takim virtual morën pjesë edhe ambasadori i Austrisë, Christopher Weidinger, ambasadori i Italisë, Nicola Orlando, shefi i Zyrës së Belgjikës, Jean Louis Servais, e Ngarkuara me punë e Luksemburgut, Natacha Gomez dhe përfaqësuesi diplomatik gjerman Axel Ross.

Nga zëvendësshefi i Zyrës së BE-së, Riccardo Serri u kërkua që në masat e parapara për rimëkëmbje të integrohen energjia e pastër, mjedisi, biodiversiteti e financimi i qëndrueshmërisë.

Ministri Kuçi ka treguar për nismat ligjore që presin të kalojnë në Kuvendin e Kosovës dhe padyshim ka theksuar se propozimet që vijnë nga Bashkimi Evropian do të jenë të mirëseardhura.

“Përpos masave ekonomike që do t’i ndërmarrim me anë të programit për rimëkëmbje ekonomike, ne presim të kemi përkrahje edhe në reformën ekonomike 2021-2023”, tha Kuçi.