Haxhiu - Ismailit: Dëshmojeni se mendoni që Qeveria Hoti është kriminale

Haxhiu - Ismailit: Dëshmojeni se mendoni që Qeveria Hoti është kriminale

Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ia ka kthyer përgjigjen sekretarit të PDK-së, Uran Ismailit, në pyetjen se ku mbetën vijat e kuqe të VV-së për PDK-në.

Haxhiu tha se vija e kuqe qëndron për PDK-në derisa kjo parti, sipas saj, mban vulën e keqqeverisjes dhe keqpërdorimit, por se tani PDK e ka momentin të dëshmojë se është parti opozitare dhe kundërshton punën e Qeverisë Hoti, njofton Klan Kosova.

“Në Kuvend kemi dy parti që janë opozitare: Vetëvendosje si subjekti më i madh dhe në anën tjetër kemi PDK-në. Për ne është e rëndësishme ta rrëzojmë Qeverinë Hoti. Edhe në të kaluarën Qeveria Mustafa është rrëzuar me votat e PDK-së, VV-së e partive tjera dhe kjo s’është hera e parë”.

“Por, nëse PDK është subjekt opozitar dhe mendon që Hoti po keqqeveris duhet ta dëshmojnë. Ne mbajmë qëndrimin tonë për vija të kuqe ndaj PDK-së, por tani ftoj PDK-në që nëse duan ta dëshmojnë se janë kundër kësaj qeverie t’i japin nënshkrimet, sepse veprimet e tyre nuk e tregojnë se janë kundër pas ka pasë pazare të ndryshme”.

“Nëse Ismaili konsideron se kjo është qeveri kriminale dhe ministrin Zemaj e ka quajtur hajn për çmimet e barnave le të urdhërojë. E ka kohën dhe mundësinë”.

Haxhiu tha se Qeveria Kurti ka arritur ta dëshmojë se edhe në Kosovë mund të qeveriset me dije, nder dhe përkushtim. Prandaj, nënkryetarja e VV-së mendon se ajo duhet të kthehet.


MË SHUME NGA Aktuale