Sfida e Joe Biden-it, ruajtja e ritmit

Sfida e Joe Biden-it, ruajtja e ritmit

Kandidati demokrat për president Joe Biden kryeson në anketime ndaj presidentit Donald Trump.

Megjithatë atij i duhet të mobilizojë dhe të bashkojë krahun progresiv të partisë së tij, ndërkohë që duhet të ngjallë interesin e elektoratit më të gjerë për të fituar zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Pandemia e ka bërë të vështirë zhvillimin e një fushate tradicionale dhe zyrtarët e fushatës së tij elektorale thanë se zoti Biden nuk do të shkojë në konventën e Partisë Demokrate në Miluoki për të pranuar nominimin si kandidat zyrtar i partisë së tij.

Është një vit zgjedhor si pak të tjerë - papunësi e lartë, trazira sociale dhe njerëzit që përballen me rrezikun e infektimit nga një pandemi e rëndë.

Janë të gjithë faktorë që kontribuojnë në performancën e dobët në anketime të Presidentit Donald Trump në shtetet kyçe, ku mund të vendosen zgjedhjet e nëntorit.

Dhe fusha e betejës elektorale po shtrihet drejt disa zonave tradicionale republikane - një lajm i mirë ky për Joe Biden-in.

"Po të ktheheshim 10 vjet pas, nuk mendoj se do të gjenim shumë njerëz që të thonin se Arizona, Teksasi dhe madje edhe Xhorxhia do të ishin zona konkurruese", thotë Larry Sabato, nga Universiteti i Virxhinias.

Por, këtë vit, ato janë.

Zoti Biden ishte zëvendës i Barack Obamës dhe luajti një rol të madh në administratën e tij.

I zgjedhur për herë të parë në Senat në moshën 29 vjeçare, Joe Biden është një politikan me përvojë.

"Do të them diçka shokuese. Unë di se si ta bëj qeverinë të funksionojë", tha zoti Biden.

"Ai është dikush që ka kaluar tragjedi të mëdha në jetën e tij, që me vdekjen e gruas së tij të parë dhe vajzës së tij në një aksident me makinë", thotë Barbara Perry, e Universitetit të Virxhinias.

Pastaj, në vitin 2015, ai humbi djalin e tij të madh, Beau, nga kanceri.

Tragjedia e tij personale dhe qëndrimi i tij i gjatë në politikë janë ndoshta arsyet pse kundërshtarët e tij politikë e kanë të vështirë të shfaqin të njëjtën armiqësi si me kandidaten e fundit demokrate.

"E korruptuara Hillary Clinton", thoshte në 2016-tën Donald Trump.

“Futeni brenda. Futeni brenda”, thërrisnin protestuesit.

Por, edhe mbështetësit e zotit Biden pranojnë se atij i mungon karizma - që mund të jetë një problem, thonë analistët.

“Ai është monoton dhe normaliteti do ta dëmtojë atë më shumë se Donald Trump-in. Në të vërtetë i vendos njerëzit përpara një zgjedhje shumë të mprehtë, të veçantë", thotë zoti Sabato.

Zoti Biden i mbijetoi zgjedhjeve paraprake, duke mundur një listë të gjatë pretendentësh presidencialë.

"Hasi në vështirësi përballë Bernie Sanders-it, Pete Buttigieg-it dhe Amy Klobuchar-it, por ai vërtet është i moderuar. Nuk i përket mendimit radikal të majtë", thotë zonja Perry.

Zgjedhja e një zëvendësi do të mund ta zgjerojë ndikimin në elektorat.

"Nuk do të ndryshojë një masë të madhe votuesish, por mund të bëjë një ndryshim të mjaftueshëm", thotë Joel Goldstein, i Shkollës së Drejtësisë në Universitetin e Saint Louis-it.

Megjithatë, disa votues thonë se nuk janë të kënaqur me zgjedhjen që iu ofrohet në këto zgjedhje.

"Ka një grup votuesish që i quajtën 'urrejtës' dhe ata janë votuesit që nuk u pëlqen asnjëri kandidat për president, por mendojnë se duhet të votojnë", thotë analistja politike, Sherry Bebitch Jeffe.

Dhe në këto zgjedhje të paprecedenta, çdo votë është e rëndësishme./VOA