Komedia e politikës sonë

Komedia e politikës sonë

Janë tejet komike zhvillimet politike në shtetin tonë. Derisa mbretëron pandemi e përmasave mitike dhe historike, në Kosovë zhvillimet politike, sidomos ato të brendshme, janë në turbo- shpejtësi.

Paradoksalisht në Kosovën e pasluftës gjithherë ka pasur zgjedhje demokratike dhe të lira. Po ashtu edhe respektimi i rezultateve të zgjedhjeve secilën herë është respektuar në demokracinë më të madhe. Është sjellje dhe institucionalizim rrënjësisht demokratik dhe i avansuar.
Por institucionalizimi nuk është i vetmi argument i shtetësisë, apo e vetmja dëshmi e shtetësisë. Në të vërtetë, e mbrapshta që e ka kapur qeverisjen e Kosovës është shpikur dhe është themeluar, pikërisht, përbrenda mundësive institucionale të shtetit të Kosovës.
Filloi me mospërfundim afatesh të caktuara të qeverive, vazhdoi me rrëzimet/mocionet gjashtë mujore të tyre dhe, tanimë, ka arritur në faza tërësisht fëmijërore të rrëzimit të qeverive në baza mujore. Dhe krejt kjo ndodh brenda mundësive institucionale të shtetësisë së Kosovës.
Janë dy interpretime krejtësisht të qëndrueshme që dalin nga kjo sjellje, prej shumë kohësh, e partive tona politike.
Nëse kjo paqëndrueshmëri qeverisjeje është aq e shpeshtë, saqë e bën vetë qeverisjen dhe shtetësinë e Kosovës të paqëndrueshme, kjo tregon për naivitetin e politikanëve tanë përballë mundësive të institucioneve të shtetësisë së Kosovës. Është zbehje dhe dobësim i këtyre institucioneve përmes përthyerjes së tyre në pafundësi variante dhe pafundësi kthimi dhe rikthimi tek ato, jo për të sqaruar apo për të përforcuar demokracinë, por për interesa të politikës ditore. Në të vërtetë, në këtë, mundësitë institucionale janë të kurthuara në pakënaqësitë partiake dhe, me këtë, janë të zbritura në nivelin e interesave partiakë. Ka një disbalans ndërmjet peshës së institucioneve dhe të pushtetit të politikave ditore. Në të vërtetë, naiviteti i politikave ditore, partive politike, e nënçmon dhe e dobëson institucionin pikërisht duke u thirrur në ato për nevoja dhe interesa partiake.
Interpretimi i dytë që del nga kjo lojë me institucionet shtetërore dhe me mundësitë e tyre, është mungesa e vetëdijes politike ndërmjet partive politike, mungesa e historisë së vetëdijes politike dhe mungesa e frymës politike. Kjo mungesë e vetëdijes politike është sidomos prezente në fragmentarizimin e politikës kosovare në përgjithësi, apo thënë më saktë, në personalizimin partiak të politikës kosovare, deri në mohim dhe në abuzim të diferencave partiake dhe politike. Kjo mungesë e vetëdijes politike është mungesa e një fryme, e cila ruan peshën dhe rëndësinë e institucioneve dhe mundësisë së institucioneve përballë pakënaqësisë ditore dhe partiake të partive.
Në të vërtetë, duke pasur parasysh interpretimet si më lartë, institucionet, duke qenë të abuzuara dhe të nënçmuara për peshën që e kanë, kanë zbritur vendimmarrjen shtetërore, qeverisjen dhe vetëdijen politike të shtetësisë së Kosovës në lojë dhe naivitet absurd dhe e kanë denigruar atë në një arenë shfrytëzimi të këtyre mundësive.
Por në tërë këtë shoqëria kosovare, në njërën anë është e pasionuar përballë këtyre naiviteteve politike duke shpresuar se ato do të sjellin ndryshim dhe, në anën tjetër, ka një rezignim rrënjësor ndaj këtyre lojërave dhe tërë politikës. Në të vërtetë politika kosovare është shndërruar në një dramë – show, që ia kalon edhe programeve të natës me zhvillimet e saj dhe me këtë po shuan çfarëdo fryme shtetërore kosovare dhe po dezintegron kolektivin në dërrmim nga stër-politizimi i çdo gjëje, deri në dërrmim të kolektivit.

Autor: Ballsor Hoxha