Ajri i ndotur dhe koronavirusi- korelacion apo rastësi?

Ajri i ndotur dhe koronavirusi- korelacion apo rastësi?

Shkruan: Zeqir Veselaj

Në nivel global, ndotja e ajrit vlerësohet të jetë shkaku i rreth 7.2 milion vdekjeve në vit. Nga ky numër rreth 1.6 milion vdekje vijnë nga pneumonia. E pneumoni agresive po shkaktohen edhe nga virusi më i ri Covid 19, e cila varësisht nga imuniteti i organizmit dhe rrethanat shoqëruese mund të përfundoj me fatalitet. Numri global i vdekjeve ka kaluar 700.000 ndërsa në Kosovë ky numër po i afrohet me shpejtësi shifrës 300. 
Institutet elitare sot janë duke bërë hulumtime të thelluara për të kuptuar më mirë pse disa vende kanë numër më të madh të rasteve dhe vdekjeve sesa të tjerat. Një nga faktorët që po studiohet me të madhe është korelacioni mes ndotjes së ajrit dhe koronavirusit. Hulumtime të shumta kanë treguar që ekspozimi afatgjatë ndaj ndotësve primar të ajrit si: thërrmijat e imta PM2.5, dioksid i azotit (NO₂) dhe dioksid i sulfurit (SO₂) dëmtojnë funksionimin e mushkërive dhe të shkaktojnë sëmundje respiratore. Këta ndotës shkaktojnë inflamacione edhe në personat relativisht të rinj dhe rrisin rrezikun e infektimit nga viruset që synojnë traktin respirator siç është edhe koronavirusi. Pandemia aktuale filloi në një provincë të Kinës të njohur për nivele të larta të ndotjes së ajrit. Epiqendra e parë në Evropë ishte Italia veriore e njohur për industri të zhvilluar dhe ndotje të ajrit. 
Disa studime kanë sugjeruar tashmë se cilësia e dobët e ajrit mund t'i vendos njerëzit në rrezik më të madh të infektimit nga virusi, të sëmundjes dhe vdekjes. Një studim i vitit 2003 zbuloi se pacientët me SARS-CoV (një virus respirator i ngjashëm me SARS-CoV2 apo Covid-19) ishin 84% më të predispozuar të vdisnin nëse ata jetonin në zona me nivele të larta ndotjeje. Një studim në SHBA zbuloi se një rritje e vogël e koncentrimeve prej vetëm 1 mikrogram (μg) për m3 të PM2.5 është e lidhur me rritje prej 8% të shkallës së vdekjeve nga Covid 19. Një hulumtim tjetër në Holandë shqyrtoi marrëdhëniet midis rasteve të Covid 19 dhe ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit dhe zbuloi se shifra ekuivalente për atë shtet mund të jetë deri në 16.6%. Pas analizimit të të dhënave për 35 komuna holandeze u zbulua se një rritje e koncentrimeve të PM2.5 prej 1μg/m3 tregon një rritje deri në 15 raste të infektimeve, katër pranime më shumë në spital si dhe tre vdekje më shumë.
Një studim nga Universitetit i Harvardit zbuloi se një person që jeton në një zonë me ndotje të lartë të grimcave PM2.5 ka 15% më shumë gjasa të vdesë nga Covid 19 sesa një person që jeton në një zonë me ndotje më të vogël. Përveç se ndotja e ajrit zvogëlon mbrojtjen imunitare, molekulat e NO2 përbërjen e ajrit mund të veprojnë si vektorë (bartës) për përhapjen e grimcave tjera nëpër ajër ku bën pjesë edhe Covid 19. Një studim lidhur i kryer së fundmi me minjët, ka treguar se NO2 rrit për 100 herë numrin e receptorëve për të cilët lidhet virusi. Aaron Bernstein nga U. i Harvardit thotë se “provat që kemi në dispozicion janë mjaft të qarta se njerëzit që kanë jetuar kohë të gjatë në vende me ajër të ndotur kanë më shumë gjasa të vdesin nga koronavirusi”. 
Periudha e izolimit pothuajse global gjatë muajve mars-maj 2020, solli një përmirsim të përkohshëm të cilësisë së ajrit si rezultat i zvoglimit të shkarkimeve ndotëse nga transporti, industria, energjetika etj. U fol edhe për një fat në fatkeqësi, duke marrë parasysh me uljen për rreth 20% të shkarkimeve globale ndotëse në ajër. Hapja pas izolimit riktheu situatën “bussines as usual” duke përkeqësuar cilësinë e ajrit por edhe shifrat e infektimeve dhe viktimave. 

Po në Kosovë a ka korelacion?
Sigurisht se po, edhe pse nuk ka studime konkrete për këtë ndërlidhje. Në një hulumtim të autorit të shkrimit të kryer me 340 respondentë lidhur me implikimet e pandemisë në mjedis, ndotja e ajrit del si problemi i dytë mjedisor madhor në Kosovë, pas ndotjes nga mbeturinat. Pak muaj para pandemisë Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) publikoi Raportin për Cilësinë e Ajrit 2019. Raporti trajton cilësinë e ajrit për vitin 2017 për 41 shtete evropiane (BE dhe jashtë saj) përfshirë burimet, nivelet dhe ndikimin në shëndetin publik. Ky raport e nxjerr keq Kosovën sa i përket cilësisë së ajrit. Numri total i vdekjeve të parakohshme nga shkarkimet e PM2.5 në 41 shtetet evropiane sipas raportit është 412,000. Për sqarim, vdekje të parakohshme konsiderohen vdekjet para se personi të arrij moshën e pritur natyrore dhe të tilla që mund të evitoheshin nëse shkaku i tyre mund të eliminohej. Në këtë listë prijnë vendet me popullata të mëdha: Gjermania, Franca, Polonia, Italia dhe Britania e Madhe. Kosova renditet kah mesi i listës, në vendin 21 të listës me 3,800 vdekje të parakohshme brenda vitit. Mirëpo sipas mesatares vjetore të llogaritur me metodologjinë ETC/ACM 2019 (shprehur në koncentrimet μg /m3 për 100.000 banorë në) Kosova renditet në vendin e tretë pas Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.  
Numri i viteve të humbura të jetës për kokë banori nga shkarkimet e PM2.5 sipas raportit del të jetë më i larti në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore. Vjet të humbura jete konsiderohen vjetët potenciale që humben nga vdekja e parakohshme e personit. Nga totali prej 4.2 milion vjet jetë të humbura në Evropë, prijnë me nga mbi gjysëm milioni Gjermania, Italia dhe Polonia. Kosova në këtë listë renditet e 18-ta me 32,700 vjet jetë të humbura në 2017. Mirëpo kur kjo llogaritet me numrin e jetëve të humbura për 100,000 banorë, Kosova renditet e para me 2,100. Pas saj vijnë Serbia me (1,911), Bullgaria me (1,858), Shqipëria (1,753) dhe Maqedonia e Veriut me 1,699 vjet jetë të humbura. 
Në muajin korrik infektimet në Kosovë kanë arritur shifra alarmante. Janë të shumtë faktorët por këtu po trajtoj dy që kanë mund të kenë kontribuar në këtë situatë. E para është faktor social dhe lidhet me dendësinë e popullatës në Kosovë e sidomos në Prishtinë. Kosova ka dendësinë e popullatës ndër të lartat në Evropë: sipas të dhënave në vitin 2019 ajo është rreth 166 banorë/km2 dhe dukshëm më e larta në Ballkanin Përendimor sipas Eurostat. Sipas rexhistrimit të popullatës (2011), nga 1.73 milion banorët e Kosovës, rreth 198,000 jetojnë në Prishtinë. Kur i shtohet këtij numri edhe ata që punojnë por nuk jetojnë në kryeqytet, atëher kjo dendësi rritet edhe më shumë duke e bërë Prishtinën epiqendër infektimesh. Kjo dendësi e rrit mundësinë e kontaktit midis personave të infektuar me ata të shëndoshë, duke përcjellur infektimin në mënyrë shumë efikase. Kur kësaj i shtohet edhe infrastruktura e dobët transportit public (autobusët e pakët urban, taksitë ilegale) dhe shërbimeve publike atëherë ky faktor sigurisht se duhet të ketë ndikuar në këtë rritje. Hulumtime shkencore megjithatë janë të nevojshme për të ardhur në konkludime të bazuara në evidenca.
Faktori i dytë është faktor mjedisor dhe lidhet me cilësinë e ulët të ajrit ambiental sidomos në zonat urbane. Ka vite që diskutohet për cilësinë e dobët të ajrit në Kosovë. Mirëpo në 5 vitet e fundit me zhvillimet teknologjike dhe aplikacionave mobile, ky problem është ngritur në nivel alarmi sidomos në Prishtinë. Ky alarmim ndodhi sidmos pas instalimit të aplikacionit Air Quality Index nga ambasada e SHBA-së, ku qytetarët e Prishtinës për çdo orë në telefonat smart mund të përcjellin se çfarë ajri po thithin. Edhe ashtu e kanë ditur se cilësia e ajrit është jo e mirë, por ky momentum nxiti shumë reagime dhe protesta. Si rezultat, në janar 2018 u mbajt seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me temën e vetme mbi cilësinë e ajrit. Pas dy ditë diskutimesh u miratua rezoluta 06-R-002 me 18 pika, nga e cila për të mos thënë aspak është realizuar shumë pak. Është e njohur tashmë se në periudhat vjetore dhjetor-shkurt, Prishtina qëndron në krye të listave globale të qyteteve të ndotura me PM2.5, e shpesh edhe e para. Raporti i Cilësisë së Ajrit 2019, i publikuar nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit raporton matjet e bëra nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, të cilat tregojnë se në janar 2019 koncentrimi mesatar mujor i PM2.5 ishte 57.8 μg/m3, shkurt 33.2 μg/m3 ndërsa në dhjetor ishte 27μg/m3 (kundrejt standardit ligjor të lejuar prej 25 μg/m3).   
Sipas Institutit të Kosovës për Shëndetin Publik (2 gusht 2020), nga 9,049 rastet në Kosovë, 10 komunat e para të listës me infektime përbëjnë 6,858 persona. Prej këtij numri 2,866 raste apo afër 1/3 e totalit janë vetëm në Prishtinë. Nga kjo listë e dhjetë të parave, tri qytetet me tejkalime të zakonshme të standardeve të lejuara të shkarkimeve në ajër (Prishtina, Gjilani dhe Mitrovica) përbëjnë 3,806 raste ose mbi gjysmën e të infektuarve. Edhe pse duhen hulumtime të detajuara shkencore për të evidentuar këtë lidhje, shifrat megjithatë japin një orientim. Sipas institucioneve shëndetësore, shumica e viktimave janë raportuar të kenë pasur sëmundje shoqëruese kryesisht në organet respiratore dhe kardiovaskulare. Duke gjetur të dëmtuara organet respiratore nga ndotja e ajrit si dhe duke rritur kapacitetin bartës përmes PM2.5 dhe NO2, vetëm sa e lehtësohet terreni i veprimit patogjen por edhe letal të virusit.
Për institucionet dhe shoqërinë kosovare jetike është të tejkalohet pandemia me sa më pak viktima dhe të shpëtohet ekonomia nga kolapsi. Më pas politikat zhvillimore duhen rishiquar komplet duke konsideruar tri shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm: ekonominë, nevojat e shoqërisë dhe ruajtjen e mjedisit. Hapi i parë duhet të jetë rikthimi i ministrisë së mjedisit ku ka qenë para pandemisë, e jo të luhet ping-pong me resorin që mbron shëndetin dhe jetën tonë. Nuk ka shëndet të mirë publik, nëse cilësia e mjedisit është për tu qarë me lot.

Autori është ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës