‘Kjo Qeveri nuk mund të qëndrojë gjatë në pushtet pa përkrahjen e PDK-së’
Arbenita Marmullaku
Njohësit e politikës konsiderojnë se kryeministri Avdullah Hoti, duhet të normalizojë marrëdhëniet me partnerin qeverisës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Reagimet vijnë pas deklaratës së kreut të AAK-së Ramush Haradinaj se Hoti e ka privatizuar çështjen e dialogut me Serbinë. Ata thonë se edhe PDK duhet të përkrah qeverinë, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte.
Kryeministri Avdullah Hoti, duhet sa më shpejtë të harmonizojë qëndrimet me partnerët e tij qeverisës, veçmas me AAK-në. Kështu tha për Radio Kosovën Milazim Krasniqi, profesor Universitar dhe njohës i rrethanave politike në vend e më gjerë, derisa thotë se reagimi i të parit të AAK-së Ramush Haradinaj lidhur me mënyrën e dialogimit me Serbinë, është i arsyeshëm.
“Reagimi i Ramush Haradinajt të cilin unë e kam parë si racional dhe të arsyeshëm, ka qenë i atillë që i ka dhënë sinjalin ,që kjo nuk është rruga e duhur, sepse rruga e duhur është që të mbahet uniteti i kohezionit të brendshëm i koalicionit dhe pastaj te ndiqet politika ne raport me akterët tjerë”
Profesor Milazim Krasniqi tha se kjo qeveri e ka të pamundur të qëndrojë gjatë në pushtet, por edhe të arrij marrëveshje në Bruksel, nëse pjesë e saj nuk do jetë edhe PDK-ja, ndonëse kjo e fundit, sipas Krasniqit, është më komode në opozitë.
“Unë mendoj që kjo do të duhet të futej gjithsesi me AAK brenda që të krijohej një koalicion stabil në mënyrë që vendimet mos të varen prej Listës Serbe, dhe e dyta çdo lloj marrëveshje që ofrohet, t’i ketë brenda dy parti të fuqishme, siç janë PDK dhe AAK”.
Edhe Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, e sheh po ashtu të arsyeshme që PDK, të përfshihet në koalicionin qeverisës.
“Mendoj se është një skenar mjaftë real që PDK të përfshihet në koalicion qeverisës qoftë direkt, duke marrë nën udhëheqje dikastere të caktuara të qeverisë, apo indirekt duke marrë pozita tjera të rëndësishme, sic mund të jetë posti i presidentit, në këmbim të përkrahjes së qeverisë më votat në kuvend, kur ka nevojë për ligje të rëndësishme që t’i shtyej përpara përmes parlamentit”.
E për sa i përket zgjedhjeve sipas profesorit Milazim Krasniqi, Qeveria e tanishme duhet ta mbyllë kapitullin e bisedimeve me Serbinë dhe më pas vendi të shkojë në zgjedhje. Aktualisht, shmangia e zgjedhjeve është me interes për Kosovën, jo vetëm shkaku i pandemisë por akoma më shumë shkaku i konfliktit të brendshëm politik i cili mund përshkallëzohej, është shprehur ai.























