Mesfushori francez pranon të ulë pagën për t’u rikthyer te Milani

Mesfushori francez pranon të ulë pagën për t’u rikthyer te Milani

Mesfushori francez Tiemoue Bakayoko është shumë pranë rikthimit te Milani, skuadër në të cilën luajti plot 42 ndeshje në sezonin 2018-2019, kur u huazua nga londinezët e Chelseat, që kanë edhe pronësinë e kartonit të tij.

Futbollisti 26-vjeçar është rikthyer në Londër, pasi i ka përfunduar huazimi te Monaco, por nuk do të qëndrojë gjatë në kryeqytetin anglez, pasi nuk bën pjesë në planet e trajnerit Franck Lampard dhe po kërkon për një tjetër sistemim.

Sipas mediave italiane, agjentët e mesfushorit kanë folur me Maldinin e Massarën dhe kanë rënë dakord që të ulin pagën në 3 milionë euro për sezon, me qëllim që Bakayoko të riveshë fanellën kuqezi, ndërsa tani po negociohet me Chelsean.

Londinezët kërkojnë 20 milionë euro për kartonin e mesfushorit francez, ndërsa Milani ka ofruar huazim me detyrim blerjeje verën e ardhshme, për një shifër maksimale prej 15 milionë eurosh dhe nuk ka ndërmend të paguajë më shumë.