AAK mblidhet në ora 16:00, diskuton edhe për raportet në koalicion
Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thirrur sot mbledhje të kryesisë së partisë. Do të diskutojë edhe për koalicionin me LDK’në, pas thellimit të përplasjeve gjatë fundjavës së fundit, kur Hoti e quajti “defilim” shkuarjen e Haradinajt pranë vijës kufitare me Serbinë.
Mësohet nga burimet brenda kryesisë se mbledhja është thirrur për t’u disktuar cështja e pandemisë, e koalicionit qeverisë dhe e dialogut me Serbinë.
Ndërkaq gjatë fundjavës kanë vazhduar përplasjet mes ministrave e zyrtarëve të AAK’së me ekipin përreth kryeministrit Hoti.
Kryeministri Hoti, kur shkroi për situatën në Karacevë të Kamenicës, pasi aty u panë trupa të ushtrisë serbe, e quajti “defilim” vizitën e Haradinajt atje, një ditë pas.
Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj kur shkroi për cështjen e lëvizjes së ushtarëve serbë, në fund i coi mesazh shefit të saj të Qeverisë, duke thënë se nuk është populizëm por kërkesë për respektim të Kushtetutës. Kjo pasi Hoti e kishte quajtur “populizëm” “defilimin” e Haradinajt.
Paknaqësitë e AAK’së ndaj kryeministrit Hoti kanë nisur nga Brukseli, ku ai nuk e mori përfaqësuesin e AAK’së, ministrin Selim Selimi në takim me presidentin serb, Aleksandër Vuciq. Më pas, Hoti, sipas AAK’së, nuk e ka njoftuar Haradinajn paraprakisht se do ta emërojë Skender Hysenin si koordinator për dialogun./ Gazeta Express























