Të premten shqyrtohen Projektligji antiCOVID e për Rimëkëmbje Ekonomike

Të premten shqyrtohen Projektligji antiCOVID e për Rimëkëmbje Ekonomike

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot në mënyrë elektronike (virtuale), mbledhjen e radhës, ku u bë e ditur se në seancën e së premtes pikë e parë rendit të ditës të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Përmes komunikatës për medie, është bërë e ditur po ashtu se Kryesia ka shqyrtuar propozimin e deputetit Haxhi Avdyli, mbështetur edhe nga 41 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet të hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

“Pas diskutimeve, Kryesia vendosi që formimi i këtij komisioni të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e të premtes, 14 gusht 2020. Kurse, sipas vendimit të seancës së datës 7 gusht, pikë e parë rendit të ditës së seancës së të premtes, do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, seanca do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19”, thuhet në komunikatën për medie.

Në njoftim thuhet se “në vazhdim të mbledhjes së sotme, Kryesia u njoh me ecurinë e punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, të zhvilluar gjatë muajit qershor të këtij viti dhe për herë të parë të kryesuar nga Kosova”.


MË SHUME NGA Aktuale