Krasniqi: Joetike diskutimet për postin e presidentit

Krasniqi: Joetike diskutimet për postin e presidentit

Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se çfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pasë Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik. 

Ai, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se kërkesa e subjektit të tij për koalicionin qeverisës është që të merren më pak me fjalë e më shumë me punë.

Reagimi i plotë:

Kalkulimet e partive të koalicionit qeverisës, me kërkesë për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm tregojnë shumë për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhen ato, por edhe janë dëshmi e mosbesimit të thellë që kanë qytetarët ndaj tyre.

Çfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pasë Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik, thënë më së buti. Aq më shumë, nëse pjesë e këtyre planeve është edhe çështja e akuzave potenciale nga Dhomat e Specializuara.

Kërkesa e jonë për koalicionin qeverisës është që të merren më pak me fjalë e më shumë me punë, sepse deri tash s'kanë qenë në gjendje ta përmbushin as minimumin e përgjegjësive që i kanë marrë. PDK ka shprehur qëndrimet dhe vizionin e vet që nga 6 tetori dhe deri tash asgjë nuk ka ndryshuar.