Reshitaj për projektligjin për pandeminë: Është i kompletuar

Reshitaj për projektligjin për pandeminë: Është i kompletuar

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të votojnë në lexim të dytë projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Kryetarja e komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj tha se ky projektligj është i kompletuar me një fushë veprimtari të gjerë dhe specifikuar.

“Projektligji i propozuar është përgjigje ndaj Gjykatës Kushtetuese me të cilën është kërkuar krijimi i bazës ligjore për kufizimin dhe lirimin e të drejtave të njeriut në luftën kundrejt COVID-19. Megjithatë deputetët e kanë parë të nevojshme që në këtë projektligj të fusin edhe mekanizmat tjerë që do të luftonin në luftën e COVID-19... sot kemi një projektligj të formësuar dhe kompletuar, tani kemi bërë një ligj që ka fushëveprim të gjerë të specifikuar veç e veç për çdo çështje që lidhet me betejën kundër pandemisë COVID 19”, tha ajo.

Ajo mes tjerash i renditi të gjitha sferat që do të hyjnë në kuadër të këtij projektligji.

“Filluar nga preambula, qëllimi, përkufizimet kemi shtuar kapituj të veçantë, masat e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtje nga pandemia. Parandalimin dhe menaxhimin e kontrollit të infeksionit. Njoftimin dhe raportimin e rasteve me covid 19. Testimin, diagnozën dhe trajtimin, përgjegjësitë dhe koordinimin e institucioneve gjatë pandemisë. Bashkëpunimin në nivel komunal, vaksinimin dhe procesin e vaksinimit, shkëmbimin e të dhënave dhe masat e sigurisë. Gjithashtu kemi shtuar kapitull të veçantë për kompensimin shtesë të atyre që përballen drejtpërdrejtë me pandeminë. Angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësor si dhe masat ndëshkimore për ata që nuk zbatojnë masat”, tha ajo.

Seanca plenare është duke vazhduar ku gjitha grupet parlamentare pritet të japin qëndrimin e tyre rreth këtij projektligji.


MË SHUME NGA Aktuale