Si i rrahu Policia për maskë vëllain, motrën dhe nënën 71-vjeçare
Vëllai, motra dhe nëna 71-vjeçare erdhën për vizitë në Kosovë nga Shqipëria 4 ditë më parë.
Por vizita nuk iu shkoj siç e planifikuan, shkruan gazeta Infokus.
Në Fushë Kosovë, të tre këta thonë që u rrahën nga Policia këtë të enjte.
E.B ka treguar për Infokus versionin e saj si rrodhi krejt ngjarja, ku thotë që u sulmuan nga Policia e Kosovës.
“Ishte ora rreth 9 e gjysmë ose 10 e mbrëmjes dhe vëllau doli poshtë tek një furrë e bukës që është afër banesës. Nuk ka pas maskë me vete dhe e kanë ndal policia. Në fillim ia kanë kërkuar dokumentet po që nuk i ka pas me vete dhe ka thënë ja po e thërras motrën është në banesë edhe i sjell. Dola poshtë t’ua dërgoj dokumentet dhe i pash duke debatu, polici thoshte se do t’ua fus gjobë, vëllau i tha po ngadal pse gjobë, jemi mysafir të juaj, jemi shqiptarë nuk jemi serbë, e pastaj menjëherë kanë filluar të na sulmojnë”, ka treguar E.B që deshi të flas në kushte anonimiteti.
E.B, thotë që tortura nga Policia e Kosovës nuk përfundoi veç aty, ku u shtrinë për toke.

Ajo për Infokus tha që edhe kur shkuan në stacion policor, u keqtrajtuan.
“Janë tallë pa ndal me neve, e kqyrnin videon se si na kanë rrahur dhe qeshnin. Mami ju ka thënë po e kam djalin e vogël 7 vjeç në banesë vetëm, nuk mundem me lanë ashtu. E tek veç pas dy orësh më kanë dërgu tek djali i vogël që ishte veç vet në banesë”, thotë E.B.

E njëjta ka treguar për Infokus se tash kjo dhe nëna e saj u liruan nga Policia, por vëllau mbeti aty i ndaluar për 48 orë.
“Kur i pyetëm në stacion të Policisë se a mund të ankohemi, na ndalën vëllaun. Por, prapë ne shkuam në inspektorat dhe u ankuam e ata e morën rastin në dorë”.
E nëna e E.B, S.B 71 vjeçare, që nga lëndimet në këmbë ecte me vështirësi thotë që u trajtuan barbarisht.

“Unë pa ndal ju thoja Policisë, pashë Allahun lëshone djalin se kurgjë nuk kemi bo”, ka thënë S.B.
Por, pavarësisht këtij rrëfimi dhe shenjave në trup që tregojnë për dhunën e ushtruar nga Policia si tek e bija ashtu edhe tek nëna e moshuar, në raportin 24 orësh të Policisë thuhet se në fakt ishte policia ajo që u sulmua.
E veç rrahjes, vajza u dënua me 500 euro e nëna 100 euro.


“Fushë Kosovë 20.08.2020-22:45. Janë arrestuar tre të dyshuar, një mashkull dhe dy femra që të tre shtetas të Shqipërisë, pasi kanë sulmuar dy zyrtarë policor derisa kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare – zbatim të vendimit të Qeverisë së RKS-së lidhur me pandeminë. Si pasojë, dy zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Poashtu tretman mjekësor i është ofruar edhe të dyshuarve. Me vendim të prokurorit i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse të dyshuarat femra janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhej në njoftim.
E.B i ka thënë Infokusit se kërkojnë edhe ndihmën e shtetit, pasi tash ndihen të rrezikuar pas ankesës në IPK.























