RTK emisioni Udhëve - ku janë qytetarët dhe shoqëria
Ballsor Hoxha
Dhembja e madhe, enigma, masakra për një prej figurave të shquara të Kosovës u dëshmua. Vrasja dhe masakrimi i tij, si dhe zhdukja e tij u dëshmuan ekzakt në emisionin Udhëve të Ramize Murtezi Shala të RTK.
Emisioni dëshmoi ekzakt, vrasësin me emër mbiemër, urdhrin, vendndodhjen e masakrës, si dhe nga kush janë dhënë urdhrat dhe kush i ka zbatuar ato.
Është tërë ajo që mund të bëjë një emision, në televizion, një Gazetare si RamizeMurtezi Shala. Është e tëra që mund të zbulohet dhe të dëshmohet në të vërtetë. Kjo në të vërtettë është e tëra që ka bërë RTK gjatë tërë këtyre viteve, dëshmi të panumërta të krimit serb dhe të organeve dhe rendit serb në Kosovë.
Ka dy probleme ndaj kësaj dëshmie: reagimi i qytetarëve dhe shoqërisë kosovare, si dhe politika e injorimit dhe mos-veprimit të të gjitha institucioneve përgjegjëse ndaj kësaj dëshmie.
Në të vërtetë në këtë emision, i cili në mënyrën më profesionale dhe më të qartë dëshmon këtë dhembje gjithë-kosovare deri në detajet më të sakta, ishin pyetur edhe EULEX-i e edhe institucionet e Kosovës, e aq më shumë ishte bërë kërkesë për përgjigje edhe nga institucionet e Serbisë.
E përfundimi i tërë kësaj pune tejet tejet të rëndësishme mbetet në vetëdijen e institucioneve të Serbisë për të pranuar fajin dhe për të vazhduar më tutje në këtë proces.
Problemi i politizimit, bartjes së pafundme deri në zhvleftësim të fakteve, dhe përgjithësimi i të gjitha viktimave në një numër statistikor, dhe në një grumbull të paindentifikueshëm të statistikave të viktimave, është pikërisht politikë. Politikë ndaj pamundësisë së veprimit ndaj Serbisë. Ndaj fajit të saj gjenocidal, ndaj fuqisë së saj politike në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe të hezitimit të bashkësisë ndërkombëtare për të vendosur drejtësi për fajin e saj.
Në të vërtetë Bashkësia Ndërkombëtare është dorëzuar para këtyre fakteve profesionale të RamizeMurtezi Shala në emisionin e saj Udhëve, dëshmive të pakalueshme dhe të sakta deri në dhembje. Bashkësia Ndërkombëtare po luan rolin e drejtësisë së njëanshme. Vetëm aty ku mundet, apo thënë më saktë vetëm aty ku respektohet ajo, si simbolikë e angazhimit të saj, por që në të vërtetë është simbolikë e pafuqisë së saj.
Është pikërisht dëshmia e emisionit Udhëve për veprimtarin Ukshin Hoti, që e dekonstrukton në tërësi pafuqinë dhe hezitimin e vënies në veprim të hapjes së proceseve të fajit, të krimeve të organeve të Serbisë nga Bashkësia Ndërkombëtare.
Problemi tjetër, ai i shoqërisë sonë, është në dezintegrimin e saj, e cila nuk arrin të shoh çka është dëshmi dhe çka është lojë politike e cila po e përçanë të njëjtën.
Enigma e masakrës së Ukshin Hotit është ka qenë një prej enigmave më të mëdha në shoqërinë tonë, por shoqëria jonë , e përballur në emisionin Udhëve të RamizeMurtezi Shala, për po të njëjtën enigmë. Dëshmia e ndërtuar saktësisht me emër e mbiemër, e me përgjegjës deri në rendin dhe institucionet e Serbisë i gjen qytetarët tanë krejtësisht injorant dhe krejtësisht të përfshirë në politikë ditore dhe si pre e politikës ditore.
Nuk ka asnjë reagim, nga shoqëria civile, nuk ka asnjë organizim, nuk ka asnjë presion qoftë në institucionet tona për të shty tutje këtë dëshmi. Për të krijuar frymën drejt zgjidhjes së këtij krimi dhe këtij problemi, i cili, aq më shumë, do të mund të përdorej për të gjetur fatin edhe të të zhdukurve të tjerë.
Për fund rreth RTK, politika meskine dhe krejtësisht përçarëse ka krijuar njolla të zeza mbi disa institucione si RTK, dhe me këtë ka humbur fuqinë e saj. Por në RTK ka edhe punë si ajo që po e bën RamizeMurtezi Shala me hulumtimet e saj profesionale. Pikërisht këtu mund të shoh çdo kush, se RTK pikërisht në mundësinë e saj dhe në përpjekjen e saj është institucion me të cilin nuk bën të kalkulohet dhe as të luhet, është jetik për shoqërinë tonë.























