Gabimi i AAK-së, lë jashtë dialogut Ministrinë e Punëve të Jashtme
Shkruan:Nebi Ajeti
Më 4 shtator në Uashington pritet të zhvillohet raundi i ri i bisedimeve me Serbinë ku paraprakisht pritet të takohet kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuciq, me ndërmjetësimin e Shtëpisë së Bardhë.
Delegacioni i kryeministrit Hoti pritet të përbëhet edhe nga ministri i Drejtësisë, i cili vjen nga rradhët e AAK-së, Selim Selimi.
AAK ka deleguar Selimin si njeri te dytë pas Hotit në krye të bisedimeve me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë. Mirëpo ajo e cila po vihet re është anashkalimi që po i bëhet Ministrisë së Punëve të Jashtme të udhëhequr nga Meliza Haradinaj. Kjo e fundit që vjen nga partia e Ramush Haradinajt nuk ka marrë pjesë pothuajse në asnjë takim që është i lidhur me bisedimet finale me Serbinë, dhe pothuajse politika e jashtme është në stagnim total.
Madje Ministrja Haradinaj është shprehur së as që është në dijeni se çfarë po bisedohet në Bruksel dhe në Uashington.
Mospërfshirja e Ministrisë së Punëve të Jashtme është një gabim me pasoja pasi bisedimet janë një proces sa politik, aq edhe diplomatik dhe lënia anash e digasterit kryesor, tregon pamaturi politike dhe mosnjohje të thellë të procesit të dialogut.
Dijeni se çfarë po ndodh me të vërtetë me dialogun me Serbinë nuk ka as edhe kolegu partiak dhe ministror i partisë së Haradinajt, Selim Selimi.
Në takimin para Washingtonit, kryeministri Avdullah Hoti ka qenë në Berlin së bashku me ministrin Selimi Selimin mirëpo këtë të fundit nuk e ka marrë brenda ndërtesës së BE-së ku po zhvilloheshin bisedimet.
Ministri i Drejtësisë ka thënë se nuk ka informacione se çfarë ka biseduar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me kryetarin serb Alekandër Vuçiq. Ai ka ironizuar kur është pyetur në një emision televiziv se për çfarë e njoftoi shefin e tij në parti, Ramush Haradinajn, për takimin Hoti-Vuçiq. “Kohën e saktë të mbajtjes së atij takimi dhe kohëzgjatjen e takimit”, ka thënë Selimi duke mos e mohuar nervozizmin që ka shkaktuar sjellja e Hotit në raport me partnerin e koalicionit. “Për çështje nacionale normalisht që ka nervozë kur t’i nuk ke mundësi të barabartë me pa ku qëndrojmë si koalicion”, ka thënë ai, i cili, ndonëse ishte në Bruksel, Hoti nuk e ka marrë në takimin me presidentin serb.
Që partia e Haradinajt karakterizohet nga mosnjohja e rëndësisë së politikës së jashtme dhe e diplomacisë, e ka vërtetuar gjatë kohës që ai ishte kryeministër. Haradinaj, bëri gabimin fondamental duke ia lënë dialogun në dorë presidentit Thaçi, me të cilin më pas pati përplasje pasi ky i fundit shpalosi skenarin për shkëmbim territoresh me Serbinë, ndërsa dikasterin më të rëndësishëm, atë të MPJ-së ja la në duar biznesmenit Behgjet Pacolli, i cili jo vetëm që se njeh diplomacinë, por e përdori atë për qëllime të biznesit të tij, dhe shkaktoi shumë skandale të nivelit ndërkombëtar. Mjafton të përmendim rreth 15 njohje që janë tërhequr gjatë punës së tij si ministër dhe dështimin në INTERPOL.
Haradinaj, sikur deshi ta korrigjojë këtë gabim, kur në qeverinë aktuale mori nën drejtim MPJ-në, mirëpo me veprimet e tij, po e zhvleftëson sërish këtë institucion, duke e lënë ministren dhe ekspertët apo diplomatët jashtë procesit të dialogut./Nacionale.info/























