Vuçiq: Njohja e Kosovës nuk është më temë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë edhe më 4 shtator në Uashington.
"Dokumenti i parë, të cilin e kishim, mbante titullin 'Normalizimi ekonomik'. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara na e ndanë dokumentin. Ajo letër për ne nuk ishte fare e lehtë dhe në të ishte pika për njohjen e ndërsjellë, gjë që për ne nuk është risi. Thash se këtë nuk mund ta pranojmë dhe administrata e Trumpit u tregua e drejtë, e kuptuan që ne nuk mund ta pranojmë“, tha Vuçiq, transmeton REL.
Vuçiq tha se "nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë".
Ai falenderoi nikoqirët amerikanë që “ishin të gatshëm t’i dëgjojnë vërejtjet e Serbisë”.
Presidenti serb konfirmoi që në një moment, gjatë bisedimeve, kishte arritur edhe Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, që është gjithashtu edhe këshilltare e tij.
“Se a do të ketë takime në nivel edhe më të lartë, këtë nuk mund ta thotë askush ende. Kjo varet nga ajo se çfarë do të ndodhë gjatë mbrëmjes”, theksoi Vuçiq.
Me Ivanka Tramp është biseduar për zhvillimin e ndërmarrësisë në Ballkan, veçanërisht për ndërmarrësinë e grave në Beograd dhe Prishtinë, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar që ekziston mundësia që ajo ta vizitojë këtë hapësirë.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas bisedimeve tha pos tjerash se më 4 shtator pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike, që delegacioni i Kosovës dhe i Serbisë diskutoi sot në Shtëpinë e Bardhë./REL























