Dekalogu i degradimit të Mirushës

Dekalogu i degradimit të Mirushës

Zeqir Veselaj

Të shkruash për degradimin e natyrës në Kosovë, më nuk përbën lajm por thjeshtë rutinë. Megjithatë,  rasti i Mirushës është akti më i rëndë i papërgjegjësisë institucionale dhe qytetare. Në vitin 2001, isha i ftuar si panelist në një trajnim për gazetarë të rinjë, organizuar nga IREX-i me temën: informimin mbi mjedisin. Prezantimin tim mbi vlerat natyrore të Kosovës e fillova me disa foto një prej të cilave ishte ajo e ujëvarës së parë të Mirushës. Ajo është më e larta dhe më e bukura sipas meje. Në pyetjen time se “ku ndodhet kjo ujëvarë”, asnjë nga pjesmarrësit nuk e gjeti. Nuk kishin faj pasi gjithmonë Mirusha në publik është prezantuar me ujëvarën mbi liqenin e fundit. Tek e para është vështirë të ngjitesh, prandaj edhe nuk e njihnin. 
Mirusha padyshim se është ndër perlat natyrore të Kosovës por edhe të Ballkanit në llojin e vet. Ka rreth gjysëm shekulli të përpjekjeve për mbrojtje dhe promovimi. Historiku i mbrojtjes ka filluar me 1975, kur Komuna e Klinës (Vendimi nr. 01-325-14/75) dhe Komuna e Rahovecit (Vendimi nr. 01-290-1/75) sjellin vendimet për mbrojtjen e saj si rezervat special i natyrës në  sipërfaqe prej 190.2 ha. Në vitin 1982, Enti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në bazë të dispozitave të Ligjit për mbrojtjen e natyrës (GZK 44/76, plotësuar me 15/81), përgatit propozimin për zgjerimin e kufijve dhe ndërrimin e statusit të mbrojtjes. Vendimet respektive të KK Klinë dhe KK të Rahovecit për mbrojtjen e kanjonit të lumit Mirushë, me kategori si park regjional i natyrës. Sipërfaqja e mbrojtur ishte 555.8 ha ku 357 i takonin territorit të komunës së Klinës ndërsa 198.8 ha komunës së Rahovecit. Pothuajse e tërë sipërfaqja e territorit të Rahovecit i kalon komunës së Malishevës, pas formimit të saj me 1985. Më poshtë janë dhjetë pika të cilat e kanë sjellë Mirushën nga një perlë natyrore në një gjendje mizerabël.

1. Loja me kategoritë e mbrojtjes dhe kategoria inekzistente aktuale
Institucionet përgjegjëse kanë humbur shumë kohë dhe energji me “ping-pongun” e kategorizimit të zonës së mbrojtur. Lëvizja nga rezervati i natyrës (1975) tek parku regjinal i natyrës (1976), pastaj në peizazh të i mbrojtur (kategoria e V-të) e në fund si monument natyre me rëndësi të veçantë (2012), përveç justifikimit po punohet diçka, nuk është se ka përmirsuar mbrojtjen dhe menaxhimin më të mirë të Mirushës. Ligji për mbrojtjen e natyrës (Nenin 8, pika 1: Vlerat e mbrojtura të natyrës) nuk ka zonë të mbrojtur si “Monument Natyre me Rëndësi të Veçantë”. Është e çuditshme se ku është baza ligjore për vendimin e Qeverisë 06/75, datë 23.05 2012 për Mirushën për atë kategorizim. Kategorizimi si peizazh i mbrojtur (neni 15 i Ligjit për mbrojtjen e natyrës ose Kategoria e V-të e IUCN) përputhet më së miri me qëllimet e mbrojtjes dhe menaxhimit. 

2. Zonë e mbrojtur pa manexhim institucional
Mirusha nuk ka organ menaxhues që në baza ditore të mirrej me mbrojtjen, menaxhimin dhe promovimin e saj. Secili shtet normal qysh moti do të kishte caktuar një të tillë. Ndarjet provinciale mes Klinës dhe Malishevës e ka komplikuar dhe më tej situatën. Si do realizohet plani hapësinor pa një organ menaxhues?. Vendosja e një organi menaxhues efektiv nga niveli qendror, me pak staf e pak financa do e vendoste menaxhimin e zonës në binarët e duhur. Përndryshe mbetet në fuqi thënia e njohur se “conservation without money is only conversation”. Defaktorizimi deri para zhdukjes i Institutit për Mbrojtjen e Natyrës si organ mbikqëyrës e ka lehtësuar së tepërmi degradimin e zonave të mbrojtura, përfshir Mirushën.

3. Emërtimi
Emërtimi më i vjetër popullor për Mirushën ishte Ularica, që lidhej me legjendën e vajzës Ricë që ishte parë duke u la nën ujvara. Emërtimi zyrtar është Ujëvarat e Mirushës. Një emërtimi i tillë abstrahon komponentet tjera natyrore: liqenet dhe kanjonin që ka formuar lumi si hidrogjeologji e gjeormorfologji, biodiversitetin e pasur të zonës, speleologjinë, paleontologjinë, peizazhin e bukur, historinë etj. Paramendojeni një ujëvarë (sipas emrit) por që shpesh nuk ka ujë. Emërtimi “Kanjoni i Mirushës” do ishte më gjithpërfshirës por edhe atraktiv për vizitorët. Fjala kanjon tingëllon më mirë edhe në qarqet shkencore, konservuese, turistike, kulturore etj.

4. “Lufta” për territorialitet dhe të drejta mbi Mirushën
Ironikisht, të dy komuna e kanë Mirushën simbol dhe logo të tyre. Kjo reflekton një lloj “lufte gjeash” se e kujt është më shumë Mirusha. Gjatë dekadave vizitorët kanë ardhur nga pjesa e Klinës, e territori më i madh i takon gjithashtu, shumica e punëve dhe investimeve janë bërë nga kjo komunë. Lokalet dhe bizneset e zonës kryesisht janë të lidhura me Klinën. Edhe Planin Hapësinor e ka financuar “Miniera e Boksitit” në Volljakë. Malisheva është formuar më vonë si komunë dhe për ta “zënë hisen e vet” e ndërtoi shpejt e shpejt rrugën e asfaltuar që më shumë se vizitor e përparim por sjell dëme e degradim. 

5. Planet hapësinore nëpër sirtarë
Në vitin ,1986 Instituti për Urbanizëm i Kroacisë nën mbikqyrjen e Entit për Mbrojtjen e Natyrës dhe Ambientit të Kosovës, ka hartuar planin hapësinor të Mirushës. Ky institut ka bërë planin Hapësinor edhe për parkun kombëtar të Plitviceve në Kroaci, e quajnë Mirushën edhe “Plitivicet e Ballkanit”. Plani përcakton shtigjet për ecje dhe ngjitje, zonat për rekreacion për vikend turizëm, turizëm shëndetësor, teleferik etj. Zona e mbrojtur sipas planit ndahet në dy nënzona: zona e ngushtë (190 ha) dhe zona e gjërë (365 ha). Gjithçka e planifikuar në detajet më të imëta përfshi koston financiare. Plani është (ose të paktën ka qenë) në Institutin e Mbrojtjes së Natyrës dhe prej vitit 2005 askush nuk është marrë me të. Plani hapësinor i hartuar nga Instituti i Planifikimit Hapësinor dhe aprovuar nga Kuvendi i Kosovës me 2014, me gjithë respektin për punën e bërë, është nën cilësinë e të parit. Çuditërisht ky plan në tekstin e vet e e trajton Mirushën si “park”. E pafalshme pasi kategoritë park dhe monument natyror ndryshojnë  shumë. Më shumë se për plane Mirusha ka nevojë për një plan zhvillimor afatmesëm të bazuar në planet e mëhershme. 

6. Diga e Mirushës
Pa dyshim se kjo është storia më reale por edhe më e dhimbshme se si e kanë trajtuar institucionet e nivelit qendror dhe lokal ruajtjen e Mirushës. Me vendimin për mbrojtjen e lumit Mirusha (1983), ndalohet edhe kaptazha e ujit nga lumi. Këtu jo kaptazhë, po ndalon rrjedha dhe formohet liqe. Pa kurrfarë leje mjedisore e as ujore, asn nga niveli qendor e as lokal. Arsyeja: jo për pije, as për ujitje por për peshkim rekreativ. O tempora o mores. Institucionet po sillen sikur diga ka mbirë brenda natës. Ambientalistët dhe qytetarët kanë ngritur zërin duke e ditur ndikimin që do ketë. Pasojat po shihen. Tharjet e përvitshme të ujëvarave (e tani edhe disa herë brenda vitit) po ndodhin pas ndërtimit të digës, edhe pse të reshurat kanë prishur ciklin e tyre tashmë.

7. Rrugët që degradojnë 
Rruga e ndërtuar nga ana e fshatit Llapçevë nuk është dashur të lejohej pa aprovimin e planit hapësinor të zonës. Në vend të vizitorëve më shumë e ka ofruar degradimin te liqeni dhe ujëvara e fundit. Veturat e shumta krijojnë ndotje të ajrit, ndotje të ujit dhe natyrës nga mbeturinat, zhurma shqetësuese për faunën e plot ndikime tjera negative. A ka marrë pëlqim mjedisor kjo rrugë?. Nëse ka marrë leje është lajm i keq, po nëse nuk ka marrë është edhe më i keq. 
Shumica e vizitorëve qasen këmbë tek ujëvarat prej rrugës Klinë-Gjakovë. Qysh me 2004 është menduar të hapej rruga për në këtë vijë. Pas analizave të ekspertëve, pavarësisht dakordimit të dy komunave dhe ndihmës së ofruar nga TMK-ja, u hoq dorë nga projekti. Arsyetimi ishte se rruga e asfaltuar më shumë se vizitorë do sillte brenda zonës degradimin. Këtë e vërtetoi plotësisht rruga e Llapçevës. Të njëjtat probleme pritet t`i bëjë edhe rruga nga ana e Klinës e cila për momentin gjendet mes shtegut për biçikleta, këmbësores dhe rrugës së asfaltuar. Gjerësia prej 8 metra shpie më shumë në rrugë veturash edhe pse ende nuk ka leje. Mirusha shijohet më mirë përmes ecjes dhe jo nga veturat.

8. Mungesa e investimeve në zonë
Para luftës, kur shkollat na dërgonin në ekskursione, në vendin ku janë sot restaurantet ka pasur vetëm një kafe të vogël tip montazhë, me 3-4 tavolina. Aty zakonisht blinim një pije dhe iknim për tek ujëvarat. Nuk është lejuar ndërtim tjetër në zonën e mbrojtur, madje edhe në vitet e para pas luftës. Investime mungojnë. Pastaj “investimet” eksploduan. Po gjithçka që mund të quhet “investim” në fakt është bërë në degradimin e zonës: rrugët, ndërtimet pa leje etj. “Resturantet” sidomos te liqeni i fundit në vend të kënaqësisë ofrojnë shëmtim për syrin e vizitorit. Investime pak më serioze kanë bërë restaurantet në fund të rrjedhës së lumit tek rruga magjistrale. Investimet e institucioneve qendrore e komunale thjeshtë inekzistente. Madje as të tilla për sigurinë e jetës së vizitorëve që ngjiten ujëvarave.

9. Ndotja e ujit dhe mjedisit
Të shpeshta janë episodet e peshqve të ngordhur mbi ujërat e liqejve të Mirushës si rezultat i tej-ndotjes së ujit. Shumica e fshatrave përgjatë rrjedhës së lumit, e shfrytëzojnë ujin e lumit e ujërat e zeza i derdhin po aty. Ngjyra e ujit nga e kaltërt deri në kafe përcaktohet nga volumi i ndotjes që shkarkohet dhe stina e vitit. Përgjatë rrugicave të ecjes, mbeturina të panumërta. Disa fushata pastrimi janë bërë, por pas disa javësh situata është kthyer përsëri si mos më keq. Mungesa e respektit për natyrë është kthyer në një sëmundje e pashërueshme për shoqërinë tonë. 

10. Promovim për gjynah
Përveq se Mirushën e kam afër vendlindjes, e kam pasur një pjesë të hulumtimit të doktoratës. Në vitin 2001 me Sadedin Prekazin dhe RTK-në kemi pas bërë një dokumentar për vlerat natyrore të Mirushës, i cili shpesh ritransmetohet. Prej atëherë, Mirusha ka zënë vend kryesisht në kronika “të zeza” të mediave për ndotje, degradim, ndërtime pa leje, mbeturina, tharje, ngrirje e deri humbje aksidentale jetësh. Nuk ka shenjë orientuese në hyrje të zones, nuk ka ndonjë broshurë, video promovuese. Disa pasionantë të fotografive e videove nga toka e nga dronët po bëjnë atë që duhej të bënte shteti për të promovuar vlerat natyrore.

Këto dhjetë pika mund të jenë vetëm maja e icebergut për degradimin e Mirushës. Secila nga këto pika mund të konsiderohet nga institucionet si pikënisje nga cila mund të filloj të rikthehet funksioni atraktiv, ekonomik, turistik, konservues, kulturor, edukativ dhe qytetar i perlës natyrore të Kosovës. Kjo që po ndodh me Ujëvarat e Mirushës, përveç krimit ekonomik është tip eklatant i krimit ekologjik që ndeshet me kapitullin XXVIII të Ligjit penal të Republikës së Kosovës.


Dr. Zeqir Veselaj, ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës