Italia ritakohet me Bosnjën, Polonia pa Lewandowskin ndaj Holandës
BKT
Sport

Italia ritakohet me Bosnjën, Polonia pa Lewandowskin ndaj Holandës

10 muaj pas sfidës së fundit në fazën eliminatore të Kampionatit Europian, Italia dhe Bosnjë Hercegovina do të përballen sërish, këtë herë në një takim të vlefshëm për fazën e grupeve të Ligës së Kombeve

Në grupin e tyre bëjnë pjesë gjithashtu edhe Holanda e Polonia. Ashtu si edhe grupet e tjetë të Divizionit A edhe grupi i parë është tepër i ekuilibruar.

Me përjashtim të përfaqësueses boshnjake, që pozicionohet në vendin e 49-të në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, skuadrat e tjera janë aty-aty në renditjen botërore, për më tepër ekipet e nisin aventurën e tyre nga pozita pak a shumë të barabarta, për shkak të situatës së pazakontë dhe shkëputjes së gjatë për arsye të izolimit të kuptueshëm që pasoi, për të shmangur një infektim masiv të mundshëm nga virusi COVID-19.

Në këtë mënyrë u prekën më së shumti pikërisht kombëtaret që kishin prenotuar prej kohësh ndeshje, gjatë shpërthimit të pandemisë së Koronavirusit, si për shembull rasti i Italisë, që kishte planifikuar dy miqësore luksi në fundin e muajit mars në Londër dhe Nurnberg, respektivisht me Anglinë dhe Gjermaninë, pa harruar edhe dy ndeshjet e tjera miqësore në fundin e majit dhe fillimin e muajit qershor, që skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Mancini duhej të zhvillonte ndaj San Marinos dhe Republikës Çeke.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Roberto Mancini i përfundoi ndeshjet në grupe në nëntorin e vitit 2019 në vendin e dytë dhe në kuotën e 5 pikëve, megjithatë kombëtarja italiane rreshtoi më pas plot 11 fitore radhazi. “Azurri”-t  e çelën serinë pozitive me një fitore minimale 1-0 ndaj Shteteve të Bashkuara, për të vijuar më pas me 10 fitore rresht në ndeshjet kualifikuese në Kontinentin e Vjetër, ndërsa në takimin e fundit, 18 nëntorin e kaluar Italia, shpartalloi Armeninë me rezultatin 9-1.

Në këtë mënyrë, Italia fitoi Grupin J me 30 pikë të plota, duke shënuar 37 gola dhe pësuar vetëm katër gjithsej. Interesant është fakti se Italia shënoi minimalisht dy gola në çdonjërën prej ndeshjeve të këtij grupi, një grup gjithsesi i lehtë duke patur parasysh që ekipi i Mancin-t u përball me Finlandën, Greqinë, Bosnjë Hercegovinën, Armeninë dhe Lihtenshtejnin.

Italia pozicionohet e 13-ta në renditjen botërore të FIFA-s dhe 12 tetorin e kaluar “të kaltrit” u bënë kështu vendi i dytë që fitoi të drejtën për të luajtur në fazën finale të Kampionatit Europian, pas Belgjikës. Falë asaj ecurie të shkëlqyer Italia siguroi pjesëmarrjen e shtatë radhazi dhe të dhjetën gjithsej në një Europian, sidoqoftë gjatë asaj periudhe skuadra e Mancinit i fitoi që të dy takimet me “dragonjtë”. “Zmajevi” në atë kohë drejtoheshin nga kroati Robert Prosinecki dhe Italia, pasi përmbysi golin e Dzekos, për të triumfuar më 11 qershor 2-1 në Torino, pesë muaj më vonë në Zenicë miqtë dominuan takimin, duke fituar pastër 3-0 falë golave të realizuar nga Acerbi, Insigne dhe Belotti.

Përfaqësuesja boshnjake e mbylli aventurën e ndeshjeve kualifikuese në vendin e katërt, pas kombëtares greke, gjithsesi ekipi ka ende shpresa për t’u kualifikuar për në Europianin e ardhshëm, që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik.

Në fundin e vitit të kaluar timoni i ekipit iu besua veteranit Dusan Bajevic, një prej emrave të mëdhenj të ish-përfaqësueses së Jugosllavisë, siodoqoftë skuadra boshnjake ka një mundësi të dytë, pas figurës shumë të mirë që bëri në edicionin hapës të Ligës së Kombeve.

Në Grupin e Tretë të Divizionit B ekipi boshnjak la prapa Austrinë dhe Irlandën e Veriut, duke u ngjitur një kategori më lart, bashkë me Danimarkën, Suedinë dhe Ukrainën, që fituan vendin e parë në grupet e tjera. Më datë 8 tetor Bosnjë Hercegovina do të presë në shtëpi në takimin gjysmëfinal Irlandën e Veriut, e nëse kalon bardhjeshilët në finale kjo përfaqësuese do të ketë një mundësi të shkëlqyer për t’u kualifikuar ndaj fituesit të çiftit tjetër Sllovaki – Republika e Irlandës, sepse është përcaktuar që më parë që ndeshja përmbyllëse të luhet ose në stadiumin “Bilino Polje” të Zenicës ose në “Windsor Park” të Belfastit. Takimi do të luhet në orën 20:45, në stadiumin “Artemio Franchi” të Firences dhe do të jetë dueli i katërt në histori ndërmjet këtyre dy Federatave, duke llogaritur edhe ndeshjen miqësore të vitit 1996, kur ekipi boshnjak mposhti 2-1 skuadrën italiane, që asokohe drejtohej nga Arrigo Sacchi dhe ku golin e nderit e shënoi pikërisht Enrico Chiesa, që ia ka dorëzuar prej kohësh stafetën të birit.

“Azurri”-t pritet të zbresin në fushë me dyshen Lorenzo Insigne – Federico Chiesa, ndërsa në qendër do të jetë Ciro Immobile, që e mbylli edicionin e fundit të Serisë A me 36 gola në total, duke barazuar në këtë mënyrë edhe rekordin e vjetër që mbahej nga sulmuesi argjentinas Gonzalo Higuain, ndërkohë në krahun tjetër gjithçka do të mbështetet tek eksperienca e futbollistit të Romës, kapitenit të përfaqësueses Edin Dzeko, pasi “truri” i skuadrës Miralem Pjanic do të mungojë, pasi ka rezultuar pozitiv me Koronavirus.

Po në orën 20:45, në Grupin e Parë të Divizionit kryesor, do të matin forcat Holanda me Poloninë. Dy vendet renditen respektivisht në vendet 14 dhe 19 dhe portokallinjtë numërojnë vetëm 45 pikë më shumë në renditjen e FIFA-s.  Bardhekuqtë ia dolën për t’u kualifikuar për në Europianin e ardhshëm, pasi dominuan Grupin G, ku bënin pjesë Austria, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Izraeli dhe Letonia.

Kjo do të jetë hera e tretë rresht dhe e katërta gjithsej në një Europian për përfaqësuesen polake, ndërkohë në krahun tjetër “tulipanët” e prenë biletën falë vendit të dytë në Grupin C, pas kombëtares gjermane, por duke lënë prapa me radhë Irlandën e Veriut, Bjellorusinë dhe Estoninë, e kështu ekipi holandez do të kthehet në fazën finale të një Europiani, pas mungesës në vitin 2016 në Francë.

Një duel i vështirë dhe tepër i rëndësishëm, duke patur parasysh që të hënën e ardhshme Bosnjë Hercegovina do të presë në Zenicë Poloninë, ndërsa Holanda do të matë forcat në Amsterdam me Italinë. Pra, Holanda do të të ketë privilegjin për t’i luajtur dy ndeshjet e para në shtëpi, ndërsa bardhekuqtë janë të shtrënguar për t’i zhvilluar dy sfidat e para jashtë fushës së tyre.

Në stadiumin “Johan Cruyff Arena” bardhekuqtë nuk do të kenë në gjirin e tyre sulmuesin kryesor dhe futbollistin më të mirë në glob, sa i përket vitit 2020, kapitenin Robert Lewandowski, ndërsa në anën tjetër “oranje” do të drejtohet nga trajneri i përkohshëm, ish-asisitenti i timonierit të mëparshëm Ronald Koeman, pra bëhet fjalë për 62-vjecarin Dwight Lodeweges.

Polonia është ende në kërkim të fitores së parë në Ligën e Kombeve, sepse në edicionin hapës bardhekuqtë grumbulluan vetëm 2 pikë gjithsej në ndeshjet me Portugalinë dhe Italinë. Polonia bashkë, me Gjermaninë, Kroacinë dhe Islandën duhet të kishin zbritur një nivel më poshtë, megjithatë drejtuesit e UEFA-s ndryshuan formatin e kompeticionit, kështu që “shqiponjat” ruajtën favorin për t’u përballur me skuadrat përfaqësuese më të mira të Kontinentyit të Vjetër.

Holanda ka fituar 5 nga 6 sfidat e fundit, ndërsa disfatën e fundit portokallinjtë e pësuan në qytetin e Portos, qershorin e vitit të shkuar, në finalen e madhe të Nations League-s me Portugalinë e Cristiano Ronaldos, ndërsa bardhekuqtë në 22 muajt e fundit janë mundur vetëm nga Sllovenia në Ljubljanë.

Holanda ka fituar 6 dhe humbur 3 nga 15 sfdiat ndërmjet tyre, për më tepër “tulipanët” nuk njohin humbje në përballjet ndërmjet tyre, që nga viti i largët 1979, ku pavarësisht disfatës 2-0 të pësuar nga ekipi ku luanin Lato, Boniek dhe Zmuda, përsëri nënkampionët e botës për kohën ia dolën për t’u kualifikuar për fazën finale të Europianit që u mbajt në Itali.