Selmanaj: Fizibiliteti për liqenin e Ujmanit mos të shihet me shqetësim
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj pas arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, thotë se pika që flitet për filizibitetin me qëllim të ndarjes së Liqenit të Ujmanit, nuk duhet të shihet me shqetësim.
Selmanaj për KosovaPress, ka thënë se shqetësimet që subjekti i tij i ka paraqitur për këtë pikë ka gjetur mirëkuptim nga kryeministri Avdullah Hoti dh ndërmjetësit e këtij dialogu.
“Shqetësimet që ne i kemi shprehur gjatë ditës ka pasur mirëkuptim nga kryeministri dhe nga ndërmjetësuesit në dialog, dhe besoj që studimi i fizibilitetit nuk do të duhej të paraqet asnjë problem apo shqetësim”, tha ai.
Marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashingon, e cila përfshinë 16 pika e ka përshëndetur menjëherë pas nënshkrimit kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Mirëpo, gjatëditës Haradinaj tha se nuk pranon që Kosova të nënshkruaj marrëveshje trilaterale ku Serbia është palë karshi Kosovës.























