Interi nis grumbullimin, Conte pret të ritakohet me Vidalin
Interi grumbullohet këtë të hënë në Pinetina (fillimisht lojtarët që nuk janë grumbulluar në ekipet kombëtare) për të nisur përgatitjet për sezonin e tij dhe trajneri Antonio Conte shpreson të përqafojë sa më parë Arturo Vidalin, i cili sipas burimeve nga Kili mund të zbarkojë në Milano në orët e ardhshme.
Mesfushori, në fakt, po zgjidh çështjet e fundit burokratike me Barcelonën, ndërsa me Interin gjithçka është vendosur tashmë falë marrëveshjes së arritur ditët e fundit nga menaxheri i tij , Fernando Felicevich. Vidal do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare, me mundësinë e rinovimit edhe për një sezon të tretë, më pagë 6 milionë euro neto në sezon.
Menaxheri i tij Felicevich po përpiqet ta mbyllë sa më parë me Barcelonën, me idenë për t’i marrë klubit “blaugrana” një shumë të caktuar për prishjen e parakohshme të marrëveshjes (thuhet 6 milionë euro). Ekziston edhe një nyjë tjetër për t’u zgjidhur, që ka të bëjë me premiot e papaguara nga klubi katalan, që kapin shifrën 2.4 milionë euro.
Shkurtimisht, pas zgjidhjes së këtyre problemeve, asgjë s’mund ta pengojë mesfushorin energjik të ritakohet me Antonio Conten, këtë radhë në “Apiano Gentile”.























