A i seleksionoi kryeministri mediat në takimin në Uashington?
Gazetari Ridvan Berisha tha se është ‘agjamillak’ politik, e ‘pamarifetshme’ si stafi i kryeministrit, Avdullah Hoti, ka vendosë ti seleksionojnë mediat për transmetimin e takimit nga Shtëpia e Bardhë në Uashington.
“Është agjamillak politik, e pamarifetshme si kanë vendosë ti seleksionojnë mediat dikujt ti japin informacion apo ti japin qasje në informacion e dike ta përjashtojnë nga informacioni. Vetë Adriatik Kelmendi e pranoi se fotografi i mediumit ku ai punon, ka hy si fotograf qeverisë në Shtëpinë e Bardhë gjatë bisedës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu me kryeministrin Avdullah Hoti dhe me ndërmjetësimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ku Izraeli u deklarua për njohjen e Kosovës. Qeveria është dashtë ti jap pamjet një kohë reale për të gjitha mediat”, tha ai në emisionin ‘Natën me Fatmir Spahiun’, në RTK.
Sipas Berishës, stafi i kryeministrit në mënyrë të ‘pamarifetshme’ ka mundësua që atë bisedë ta ndjek vetëm një televizion, pra ato pamje i ka transmetua Klan Kosova. “Qeveria i ka dërguar letër Ambasadës Amerikanë në Kosovë se cilat media do ta përcjellin ngjarjen atje. Këto që po i them këtu ia kam thënë edhe kryeministrit dhe kam guxim t’ia them çdo kujt”, tha ai.























