Gastronomët kërkojnë të punojnë deri në mesnatë
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës po kërkon shfuqizimin e vendimit të Qeverisë të marrë një muaj më parë, vendim ky i cili e kufizon veprimtarinë e këtij sektori deri në orën 22:30.
Sekretarja e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Edona Gashi tha në ‘Imazh’ në RTK se si pasojë e vendimeve të Qeverisë shumë biznese janë mbyllur dhe shumë të tjera rrezikojnë të mbyllen në gastronomi.
“I gjthë vendi është në shqetësim, por më së shumti sektori i gastronomisë ka një shqetësim të madh, gjithë kjo si rrjedhojë e masave të ushtruara nga institucionet e Kosovës”.
“Shumë biznese janë mbyllur dhe shumë të tjerë rrezikojnë të mbyllen për shkak të këtyre masave ku ju ndalohet qarkullimi, puna deri në një orar që ka qenë më herët, ku e dim që deri më tani lejohet deri në orën 22:30, gjë që ndikon shumë keq tek secili lokal, secili biznes i gastronomisë.
Madje moslejimi i punës brenda, është një njëri prej faktorëve tjetër që ndikon shumë tek këto masa, prandaj ne kemi dalur me disa kërkesa, kemi kërkuar që të punohet deri në orën 12 pas mesnate, kemi kërkuar që të lejohet puna brenda dhe kemi kërkuar nga institucionet përkatëse që të krijohet një manual i saktë i distancës dhe jemi zotuar që do të respektojmë masat”, tha Gashi në RTK.
Sekretarja e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Edona Gashi tha poashtu se kanë kërkuar një pako ekonomike e cila i ndihmon bizneset e gastronomisë.























