Prezantohet Mici: Prishtina është vetë futbolli i Kosovës
Transferimi i Gledi Micit të Prishtina tashmë është zyrtar.
Klubi bardhekaltër nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar nënshkrimin e kontratës me 29-vjeçarin që konsiderohet një nga përforcimet më cilësore në futbollin kosovar.
Mici ishte shumë pranë kthimit në Superiore, ku kishte gati marrëveshjen me Partizanin, por vendimi CAS-it, që nuk jepte të drejtë klubit të kuq mbi pezullimin e merkatos, i hapi rrugë transferimit në klubin me të titullar në Kosovë.
Ja postimi i Prishtinës:
“Ish-futbollisti i Kamzës (2009-2012), Flamurtarit të Vlorës (2012-2014), Kukësit (2015/16), Skënderbeut (2016-2018) dhe së fundi i Shkëndijës së Tetova (2018-2020), i bashkëngjitet fanellës bardhekaltër nga Prishtina.
Mici, 29 vjeç, i lindur më 06.02.1991 në Tiranë, ka qenë ish-reprezentues i kategorive U-17 dhe U-21 të Shqipërisë dhe me gjithë ofertat e shumta anekënd Kosovës dhe Shqipërisë, ai vendosi për klubin e Prishtinës. Për faqen e skuadrës bardhekaltër Mici deklaroi: “Është e vërtetë, kam pasur oferta, por isha i fokusuar diku në Turqi apo Greqi. Gjithsesi tani gjithçka ka përfunduar dhe jam pjesë e Prishtinës, duke pasur tërë fokusin në suksesin në ambientin e ri. Aq sa di, Prishtina është vetë futbolli i Kosovës, emri më i madh në vend, por me titullin e munguar dhe unë dua të provoj këtë sfidë të re, të sjell suksesin ndaj ambicieve të klubit. Pres që të jap maksimumin dhe karshi kësaj në fund të sjellim titullin.
Në Prishtinë kam gjetur bashkëlojtarët e dikurshëm te Skënderbeu, Abazin e Lilajn, dhe patjetër që do të ndihem dhe komod si në shtëpinë time në krah të tyre e që veçmas i çmoj për djem të mirë e fantastikë, përveçse si futbollistë cilësorë”.























