Novichok, gaz dhe spiunë për t`i destabilizuar kundërshtarët politikë
BKT
Lajme

Novichok, gaz dhe spiunë për t`i destabilizuar kundërshtarët politikë

Operacionet ruse evropiane: Novichok, gaz dhe spiunë për t`i destabilizuar kundërshtarët politikë

Putini po e ndihmon Lukashenkon në luftën me opozitën. Spiunët rusë planifikuan një grusht shteti në Malin e Zi. Politikanët pro-rusë në Maqedoni përmes dhunës u përpoqën të parandalonin që udhëheqësi pro-perëndimor Zoran Zaev të vinte në pushtet. Formacionet paramilitare ruse vepronin në Ukrainë.

Ukraina, Mali i Zi, Maqedonia, Bjellorusia. Ngjarjet në këto vende evropiane dëshmojnë se Federata Ruse nuk heziton të përdorë forcën për të arritur qëllimet e saj. E fundit me radhë është Bjellorusia, një vend ku opozita është zgjuar, në një numër të paparë deri më tani, po proteston paqësisht kundër qeverisë së Aleksandër Lukashenkos dhe zgjedhjeve të tij të manipuluara. Lukashenko ka qeverisur prej kohësh në stilin e Putinit. Të dy abuzojnë me shërbimet e sigurisë, përndjekin opozitën, kufizojnë lirinë e fjalës, keqmenaxhojnë pak a shumë ekonomitë e tyre dhe, në fund të fundit, parandalojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme në çdo mënyrë të mundshme, me një dëshirë të dukshme për të qëndruar në pushtet përjetësisht.

Pas reagimit të vendeve perëndimore që i bënë thirrje regjimit të Lukashenkos për shtypjen e të drejtave të njeriut dhe konsideruan vendosjen e sanksioneve, Presidenti rus Vladimir Putin u përgjigj duke paralajmëruar se vendet e tjera nuk duhet të ndërhyjnë në çështjet e brendshme Bjelloruse. Disa media ruse tashmë kanë botuar një histori në lidhje me një ndërhyrje të mundshme ruse në Bjellorusi, nëse bie regjimi i Aleksandër Lukashenkos. Dhe kjo ndërhyrje do të pasqyrohej në dërgimin e grupeve të pretenduara paraushtarake - duke ndjekur shembullin e Ukrainës.

Propaganduesit rusë tashmë kanë arritur në Minsk dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në politikën redaktuese të mediave kryesore në atë vend. Presidenti Bjellorus Lukashenko deklaroi se i ftoi ata dhe se ata u paguan nga  Rusia miqësore. Disa analistë rusë që janë pro Putinit tashmë sugjerojnë publikisht që, pas ekspertëve të medias, edhe mercenarë privatë, të tillë si ata nga "Ëagner Group" në pronësitëtë Yevgeny Prigozhin, të udhëtojnë në Bjellorusi.

Së bashku me ngulfatjen e opozitës në Bjellorusi, Vladimir Putin gjithashtu po e ngulfatë edhe opozitën e tij. Aleksey Navalny u helmua nga një armë e njohur moderne ruse – me novichok. Vetëm të hënën ai u zgjua në Gjermani nga koma në të cilën kishte rënë më 20 gusht. Pikërisht Navalny ishte në mbështetje të opozitës Bjelloruse. Ndryshe nga Putini, Lukashenko është, për momentin, pak më i butë në qëndrimin e tij ndaj opozitës. Ai përdor të gjitha kapacitetet e tij për ta kriminalizuar opozitën.

Kështu që Putini dhe aleatët e tij përdorin të gjitha metodat, nga propaganda deri në helmim, për ta heshtur opozitën. Veprimet kundër të pretenduarëve "armiq të shtetit"  Putin po i zbaton cdo herë e më shumë jashtë vendit.

Mali i Zi është një nga vendet në të cilat u organizua një përpjekje grusht shteti nga spiunët rusë, në ditën e zgjedhjeve 2016. Në Maqedoni, politikanët pro-rusë kanë shkaktuar trazira në parlament për të parandaluar ardhjen në pushtet të udhëheqësit pro-perëndimor Zoran Zaev. Shtetet e Ballkanitnë kohë të fundit janë nën presion në rritje nga Federata Ruse. Shërbimet e sigurisë së Belgjikës, Sllovakisë, Austrisë, Republikës Çeke, Norvegjisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë kanë dëbuar ose deklaruar të padëshirueshëm disa diplomatë rusë në vitet e fundit, të cilët ishin, në të vërtetë, agjentë të inteligjencës. Tani për tani, askush nuk është dëbuar nga BiH, por oficeri rus i inteligjencës Vladislav Filippov është ndaluar të hyjë në BiH, ku ai supozohej të ishte një atashe ushtarak në Ambasadën e Federatës Ruse.

Por inteligjenca ruse nuk është problemi i vetëm. Federata Ruse ka zgjeruar ndikimin e saj në vitet e fundit përmes Gazpromit dhe politikës së energjisë. Kroacia ka nënshkruar marrëveshje dekadëshe me Gaprom të Rusisë, e cila supozohet të furnizojë vendin me gaz. Situata është e ngjashme në BiH dhe autoritetet e Republika Srpska janë duke u përpjekur në çdo mënyrë për të parandaluar ndërtimin e tubacionit të gazit Adriatik-Jon, i cili do të zvogëlojë ndikimin e Rusisë në politikën e energjisë të BiH. Për shkak të vetëm një burimi të furnizimit me gaz, Federata Ruse përdor mekanizmin e shantazhit në vendet e Ballkanit Perëndimor.


MË SHUME NGA Lajme