Istrefi: Ademi ishte njëri prej kolosëve të Artit në Kosovë

Istrefi: Ademi ishte njëri prej kolosëve të Artit në Kosovë

Në mëngjesin e ditës së sotme ka vdekur në moshën 82 vjeçare aktori i njohur Adem Mikullovci.

Vdekja e tij ka pikëlluar gjithë Kosovën sepse ai ishte gjithmonë pranë popullit me veprat e tij e humorin e mirëfilltë. Por dhimbje të thellë po ndajnë edhe familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët.

Një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Mikullovcit ishte edhe aktori Shkumbin Istrefi.

Duke qenë se kanë ndarë shumë kohë bashkë duke qenë pjesë e projekteve të përbashkëta, lidhja padyshim që forcohet e dashuria shtohet. Andaj vdekja e Mikullovcit e ka prekur thellë aktorin Shkumbin Istrefi i cili e vlerësuar atë si ikonë të artit kosovar dhe njërin prej kolosëve të artit në Kosovë.

”Një nga një, po na lenë të gjithë ikonat e Artit Kosovar. Ata që krijuan dhe shtruan rrugën e Artit për të gjithë ne që po ecim pas tyre e mundohemi të ndjekim rrugën e tyre.

Ademi ishte njëri prej kolosëve të Artit në Kosovë. La pas vetes qindra role të shkëlqyeshme në Teatër, Film e Televizion. Qindra vepra që ishin vulë e kohës”, ka shkruar Istrefi duke kujtuar se në kohët kur popullit i duhej disponimi, Ademi ishte pranë me fjalë e vepra që të nxirrnin lotët duke qeshur.

“Në kohët kur popullit i duhej disponim, Ademi ishte pranë tij me fjalë e me vepra që të nxirrnin lotë duke qeshur. Në kohët kur popullit i duhej mobilizim, Ademi poashtu ishte aty me fjalë e me vepra që të nxirrnin lotët nga dhimbja e hidhërimi.

Ndiej dhimbje për faktin që na la, por edhe krenari që pata fatin të nis me të hapat e parë në art dhe ndava me të momente të bukura e të vështira.

Pastë qetësi shpirti i tij”, shkruan istrefi.