“Kur arti skalitet në filma”/ Reshat Arbana bën sot 80 vjeç

“Kur arti skalitet në filma”/ Reshat Arbana bën sot 80 vjeç

Reshat Arbana është një ndër aktorët më popullorë të kinematografisë shqiptare, me më shumë se 35 role të luajtura në skenë. Një ndër artistët më të mëdhenj që Shqipëria ka nxjerrë, Reshat Arbana ka jetësuar para publikut shqiptar personazhet kryesorë të filmave më të ndjekur.

Ndër rolet më të spikatura në film: Samiu tek Fije që priten 1976, Prefekti tek Gjeneral gramafoni 1978, Bimbashi tek Liri a vdekje 1979, Isa Boletini tek Nëntori i dytë 1982, Ahmeti tek Dora e ngrohtë 1983, Adnani tek Hije që mbeten pas 1985, Aliu tek Binarët 1987, Emili tek Rikonstruksioni 1988, Kuke Memini tek Balada e Kurbinit 1990. Për rolet e Dajlan Beut tek Kush vdes në këmbë 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek Kur hapen dyert e jetës 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987.

Në vitin 2011, Reshat Arbana është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare.”

Por përtej karrierës së tij në fushën e aktrimit, ai ka qenë dhe do të mbetet zëri më i bukur i dhjetëra poezive, prozave dhe veprave të mëdha.

Sot Reshat Arbana bën 80 vjeç, dhe vepra e tij peshon më shumë se vitet që mban mbi supe, për frymëzimin dhe padiskutim modelin e jashtëzakonshëm që sjell në shoqërinë shqiptare për të gjithë artistët e rinj.

Dikur Reshat Arbana shprehej se përvjetorët i përcillnin emocione të mëdha, e në të njëjtën kohë i kujtonin se për burrin është trimëri e madhe të ecësh me dinjitet drejt të 80-ave…

Në këtë përvjetor, të gjithë duhet të shprehim mirënjohjen tonë për veprën madhështore kulturore dhe artistike që “Nderi i Kombit” i dha Shqipërisë përmes punës dhe talentit të tij.